Këngëtarja e njohur Soni Malaj ka emocionuar publikun dhe banorët e “Ferma VIP”, teksa ka ndarë një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, duke rikthyer kujtimet e dhimbshme nga fëmijëria.
Artistja tregoi se në moshën 7-8-vjeçare u përball me një problem serioz shëndetësor që e la për një kohë pa mundur të ecte.
“Ka qenë një reumatizëm i shkallës së lartë, arsyen se pse nuk e di”, u shpreh ajo, ndërsa kujtoi se gjithçka ndodhi kur jetonte në Tropojë dhe dhimbjet ishin aq të forta, sa nuk arrinte të hidhte asnjë hap.
Soni rrëfeu se u shtrua disa herë në spital dhe pas kurave nisi të ndiente përmirësim. Por një moment gjatë një fundjave në Valbonë ndryshoi gjithçka.
Sipas saj, dikush i sugjeroi të fuste këmbët në ujë të ftohtë, por menjëherë pas këtij veprimi gjendja e saj u përkeqësua dhe ajo u paralizua sërish.
Edhe pse sot nuk i kujton të gjitha detajet e shërimit, këngëtarja tha se nuk do të harrojë kurrë sakrificat e familjes së saj. Për shkak se nuk mund të ecte, prindërit dhe të afërmit detyroheshin ta mbanin në krahë për çdo lëvizje, madje edhe kur e çonin te shoqet e klasës për të bërë detyrat dhe për të mësuar./MXH
