Last Updated on 13/06/2026 by EL
Kujtesa e punës, përqendrimi dhe aftësia për të përpunuar informacionet mund të zhvillohen me ushtrime të rregullta mendore, thonë studiuesi
Lidhja midis inteligjencës dhe kujtesës së punës ka tërhequr prej dekadash vëmendjen e shkencëtarëve, psikologëve dhe neurologëve. Dikur besohej se inteligjenca ishte kryesisht e lindur dhe pothuajse e pandryshueshme, por hulumtimet më të reja po e vënë gjithnjë e më shumë në dyshim këtë bindje.
Sot, shumë studiues mendojnë se disa aftësi njohëse mund të zhvillohen edhe në moshë të rritur, sidomos përmes ushtrimeve të synuara për kujtesën e punës.
Zbulimet e reja tregojnë se ushtrimet mendore nuk ndikojnë vetëm në kujtesën afatshkurtër, por mund të përmirësojnë edhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve, përqendrimin dhe efikasitetin mendor.
Kujtesa e punës ka rol kyç
Ekspertët shpjegojnë se kujtesa e punës nuk është thjesht ruajtje pasive e informacioneve. Ajo është një sistem njohës që mban përkohësisht dhe përpunon aktivisht të dhënat në kohë reale.
Pikërisht kjo aftësi na ndihmon të mësojmë, të planifikojmë, të marrim vendime dhe të zgjidhim detyra të ndërlikuara, por edhe situata të përditshme.
Kapaciteti i kujtesës së punës lidhet veçanërisht me inteligjencën fluide, pra aftësinë për t’u përshtatur në situata të reja dhe për të zgjidhur probleme pa u mbështetur vetëm në përvojën e mëparshme.
Nga ana tjetër, inteligjenca e kristalizuar mbështetet në dijen dhe përvojën e fituar gjatë jetës. Të dyja janë të rëndësishme, por shkencëtarët po studiojnë gjithnjë e më shumë mundësinë që inteligjenca fluide të zhvillohet përmes trajnimit të trurit.
A mund të ndryshojë inteligjenca?
Për një kohë të gjatë mendohej se inteligjenca fluide është kryesisht e trashëguar dhe se nuk mund të ndryshojë shumë gjatë jetës.
“Inteligjenca fluide shpesh konsiderohet shumë e trashëgueshme, prandaj shumë njerëz mendojnë se ajo është e pandryshueshme. Qëllimi ynë ishte të tregonim se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë”, ka shpjeguar dr. John Jonides, një nga autorët e një studimi të rëndësishëm në këtë fushë.
Hulumtimet e psikologëve John Jonides, Susanne Jaeggi dhe Martin Buschkuehl ngjallën interes të madh në komunitetin shkencor. Studimi i tyre, i botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences, tregoi se trajnimi sistematik i kujtesës së punës mund të përmirësojë edhe aftësitë që lidhen me inteligjencën fluide.
Pjesëmarrësit në studim kryen një ushtrim të quajtur “n-back”, ku duhej të ndiqnin një varg stimujsh dhe të dallonin nëse stimuli aktual përputhej me atë që ishte shfaqur disa hapa më parë.
Rezultatet treguan se personat që ushtruan më gjatë dhe më intensivisht arritën përmirësime më të mëdha në testet e inteligjencës.
“Ideja ishte të tregonim se përmirësimi i aftësive bazë mendore, si kujtesa e punës, mund të çojë edhe në rezultate më të mira në detyra më të ndërlikuara, si zgjidhja e problemeve”, ka shpjeguar dr. Susanne Jaeggi.
Truri mund të përshtatet
Shkencëtarët thonë se efekti i këtyre ushtrimeve lidhet me neuroplasticitetin, pra aftësinë e trurit për t’u përshtatur dhe për të krijuar lidhje të reja nervore gjatë jetës.
Sipas dr. Jonides, pas trajnimit disa zona të trurit gjatë zgjidhjes së detyrave shpenzonin më pak energji dhe kërkonin më pak qarkullim gjaku, gjë që tregon efikasitet më të madh të trurit.
Trajnimi i kujtesës së punës nuk forcon vetëm aftësinë për të mbajtur mend informacione. Ai mund të përmirësojë edhe kontrollin e vëmendjes, përqendrimin dhe menaxhimin e burimeve mendore.
Ushtrime të thjeshta që mund të ndihmojnë
Edhe pse shumë trajnime njohëse bëhen përmes programeve kompjuterike, ekspertët thonë se ka edhe ushtrime të thjeshta që mund të bëhen në shtëpi.
Një prej tyre përfshin përdorimin e një pakoje letrash. Letrat përzihen dhe kthehen një nga një, ndërsa paraprakisht caktohen disa letra “sinjal”, për shembull damat dhe dhjetat. Kur shfaqet një nga këto letra, personi duhet të kujtojë cila letër ishte dy pozicione më herët.
Kur ushtrimi bëhet më i lehtë, detyra mund të vështirësohet duke kërkuar kujtimin e letrës që është shfaqur tre ose katër hapa më parë. Këto aktivitete nxisin kujtesën e punës, përqendrimin dhe kontrollin e vëmendjes.
Ekspertët theksojnë se trajnimi i trurit nuk është “zgjidhje magjike”, por stimulimi i rregullt mendor mund të ndihmojë në ruajtjen e shkathtësisë mendore dhe në ngadalësimin e rënies njohëse.
Ashtu si aktiviteti fizik është i rëndësishëm për trupin, aktiviteti mendor është i rëndësishëm për trurin. Prandaj, të mësuarit e përditshëm, zgjidhja e detyrave mendore dhe mbajtja aktive e mendjes mbeten të rëndësishme gjatë gjithë jetës. /ET

