Last Updated on 05/06/2025 by adminfjala
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka sqaruar më tej vendimin e tij për të ndaluar udhëtimet nga 12 vende drejt Shteteve të Bashkuara, përmes një videoje të publikuar në platformën e tij Truth Social.
“Nuk i duam ata,” deklaroi Trump me tone të forta, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të kenë emigracion të hapur nga asnjë vend që nuk mund të kontrollohet dhe skanohet në mënyrë të sigurt dhe të besueshme.
Ai theksoi se ashpërsia e masave të reja do të varet nga “rreziku që paraqet secili vend”, ndërsa shtoi se lista e vendeve të ndaluara mund të rishikohet në të ardhmen, në rast se bëhen përmirësime në sistemin e kontrollit të atyre shteteve.
Këto deklarata kanë ardhur menjëherë pas shpalljes zyrtare të ndalimit të udhëtimeve nga 12 shtete, një vendim që ka nxitur reagime të forta si brenda ashtu edhe jashtë Amerikës. Vendimi përbën një nga masat më të diskutuara të administratës Trump në mandatin e tij të dytë, duke rikthyer debatin për sigurinë, emigracionin dhe politikat e jashtme të SHBA./kb