Pas një periudhe të gjatë heshtjeje dhe muajsh të vështirë, Chiara Ferragni ka vendosur të flasë hapur për kapitujt më të dhimbshëm të jetës së saj, duke zbuluar detaje të panjohura deri më tani për martesën me reperin Fedez, ndarjen dhe betejën e saj me depresionin.
Në një intervistë të gjatë për revistën Vanity Fair, dhënë përpara publikimit të dokumentarit të saj në Netflix, sipërmarrësja italiane është rikthyer te momentet që i ndryshuan jetën, nga skandali i famshëm i pandoros Balocco, te kriza personale dhe fundi i marrëdhënies me ish-bashkëshortin.
Ferragni pranon se periudha pas shpërthimit të skandalit ishte veçanërisht e rëndë për të. Ajo tregon se për katër muaj përjetoi një gjendje të thellë depresive, duke kujtuar se kishte mëngjese kur nuk arrinte as të ngrihej nga shtrati.
“Kishte mëngjese kur nuk mund të ngrihesha. Mëngjeset ishin më të këqijat, problemet shtoheshin dhe gjithçka ishte gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit tim”, rrëfen ajo.
Megjithatë, një nga pjesët më të ndjera të intervistës lidhet me martesën e saj me Fedez. Chiara pranon se, pavarësisht imazhit të një çifti të lumtur që kishin krijuar ndër vite, në marrëdhënien e tyre ajo shpesh ndihej e vetmuar.
“Federico ishte familja ime. Nuk ishte një familje perfekte, por ishte familja që shpresoja se do të zgjaste. Të ndihesha e braktisur më lëndoi shumë. Kur shembet gjithçka ku ke besuar, kupton se ndoshta ke qenë e vetmja që ka jetuar vërtet atë marrëdhënie”, shprehet Ferragni.
Ajo kujton gjithashtu episodin e famshëm të Sanremos, kur Fedez puthi Rosa Chemical në skenë, duke zbuluar se në atë moment ishte ndjerë e turpëruar dhe e parespektuar nga bashkëshorti i saj.
“Në fillim të festivalit i kërkova të më respektonte dhe të ndihej krenar për mua. Por ai tregoi para gjithë Italisë se nuk më respektonte. U ndjeva e turpëruar”, tregon ajo.
Një tjetër moment tronditës ishte zbulimi i tradhtisë së Fedez me Angelica Montini. Chiara rrëfen se më 19 dhjetor 2024, një vit pas shpërthimit të çështjes Balocco, reperi i tregoi të vërtetën pas këmbënguljes së saj për të marrë përgjigje.
“Më tha për Angelica-n. Ishte tronditëse të zbuloja se kishte pasur një lidhje me të. Herën e fundit që e kisha parë, ishte një muaj para dasmës sonë”, kujton ajo.
Sot, duke parë pas, sipërmarrësja pranon se kishte besuar se dashuria mund të zgjidhte gjithçka, edhe kur marrëdhënia nuk po funksiononte më.
“Unë e dua dashurinë dhe besoja te kjo ëndërr. Ai kishte shumë të meta, nuk ishim një çift perfekt, por kishte dashuri dhe mendoja se dashuria do të rregullonte gjithçka. Nuk ndodhi kështu”, shprehet ajo.
Në intervistë, Chiara flet edhe për jetën e saj të re sentimentale me José Hernández, të cilin e njohu gjatë një udhëtimi në Kolumbi. Ajo tregon se puthja e tyre në mesnatën e 1 janarit ishte një fillim i bukur pas një periudhe kur kishte nevojë për energji pozitive dhe një kapitull të ri.
Tashmë, pas gjithë asaj që ka kaluar, Ferragni thotë se ka ndryshuar mënyrën se si e sheh jetën, suksesin dhe vlerësimin e të tjerëve. Nëse dikur miratimi publik ishte një pjesë e rëndësishme e identitetit të saj, sot prioriteti është paqja e brendshme.
“Sot nuk jetoj më për duartrokitjet e njerëzve. Sigurisht që më pëlqen ende miratimi i tyre, por nuk jam më e varur prej tij. Dhe kjo ndryshon gjithçka”, përfundon ajo./mxh
