Problematikat dhe incidentet për muzeun e Luvrit duket se nuk kanë fund. Nëntë persona janë arrestuar nga autoritetet franceze me akuzat për mashtrim me bileta në muzeun e Luvrit dhe Pallatin e Versajës.
Sipas zyrës së prokurorit të Parisit, humbjet financiare për Luvrin nga ky mashtrim janë vlerësuar në mbi 10 milionë euro. Mes të arrestuarve janë dy punonjës të muzeut, një guidë turistikë dhe personi që dyshohet se organizoi rrjetin e mashtrimit.
Luvri, ishte në vëmendje të të gjithë botës në vjeshtë për një vjedhje spektakolare që bëri bujë globale. Ndërkohë si pjesë e hetimit për mashtrimin me bileta, deri më tani janë sekuestruar 957,000 euro në para të gatshme dhe 486,000 euro nga llogari të ndryshme bankare.
Raportohet se të dyshuarit kanë investuar një pjesë të fitimeve të tyre në pasuri të paluajtshme, si në Francë ashtu edhe në Dubai.
Hetimi filloi kur menaxhmenti i muzeut raportoi, në dhjetor 2024, se dy burra kinezë po sillnin grupe turistësh në muze, duke u siguruar që të përdornin të njëjtat bileta për njerëz të ndryshëm shumë herë. Guida të tjerë turistikë u dyshuan më pas për “praktika të ngjashme”, sipas zyrës së prokurorit.
Dyshimet e muzeut u konfirmuan nga mbikëqyrja e të dyshuarve, veçanërisht në lidhje me ripërdorimin e biletave. Autoritetet dyshuan gjithashtu se autorët kishin bashkëpunëtorë brenda Luvrit, të cilët i përdornin për të shmangur kontrollin e biletave.
Zyra e prokurorit po heton mashtrimin nga një bandë e organizuar, pastrimin e parave, korrupsionin aktiv dhe pasiv, dhënien e ndihmës për hyrje dhe qëndrim të parregullt në vend dhe përdorimin e certifikatave të falsifikuara./mxh
