Familja e këngëtarit Labinot Rexha ka dalë me një deklaratë publike pas zhvillimeve të fundit në Big Brother VIP Kosova, duke shprehur pakënaqësi dhe shqetësim për klimën e krijuar rreth tij në shtëpi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ata kanë theksuar se debatet dhe situatat e fundit, sipas tyre, kanë kaluar kufijtë e lojës dhe po ndikojnë negativisht në gjendjen emocionale të artistit. Familjarët shprehen se respekti dhe dinjiteti i tij duhet të mbrohen, pavarësisht dinamikave të formatit.
Një nga momentet që ata e konsiderojnë të papranueshëm është zgjimi i tij nga gjumi në mënyrë provokuese nga një tjetër banore, duke e cilësuar këtë veprim si të panevojshëm dhe jashtë frymës së garës.
Në reagim kërkohet që produksioni të marrë masa konkrete për të siguruar mirëqenien fizike dhe psikologjike të Rexhës. Përndryshe, familja paralajmëron se mund të kërkojë largimin e tij nga programi, me qëllim mbrojtjen e integritetit të tij. Gjithashtu, ata bëjnë të ditur se po shqyrtojnë edhe mundësinë e ndjekjes së rrugëve ligjore në rast të deklaratave apo veprimeve që dëmtojnë figurën e këngëtarit./mxh
