Pas ditësh tensionesh dhe shkëmbimesh të ashpra deklaratash me Donald Trumpin, kryeministrja italiane Giorgia Meloni duket se po kërkon të ulë tonet dhe të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës me Uashingtonin.
E rikthyer në Romë pas vizitës në Bruksel, Meloni po analizon pasojat e përplasjes së dytë publike me presidentin amerikan, një debat që ka tronditur jo vetëm marrëdhënien personale mes dy liderëve, por ka ngritur pikëpyetje edhe për të ardhmen e raportit strategjik mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Megjithëse në kampin e saj politik ka nga ata që vlerësojnë se përplasja me Trumpin mund të sjellë përfitime në planin e brendshëm politik, në Palazzo Chigi mbizotëron një bindje tjetër, marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm të Italisë nuk mund të sakrifikohen për një betejë mediatike.
Në qendër të shqetësimit janë interesat ekonomike dhe strategjike që lidhin dy vendet. Shkëmbimet tregtare që kalojnë 100 miliardë euro, prania e miliona italo-amerikanëve, si dhe roli vendimtar i bazave amerikane dhe strukturave të NATO-s në territorin italian, konsiderohen elementë që e bëjnë të pamundur një përçarje të vërtetë mes Romës dhe Uashingtonit.
Pikërisht për këtë arsye, sipas burimeve pranë qeverisë italiane, Meloni ka vendosur të mos ushqejë më polemikat. Vëmendja është përqendruar te rikthimi i dialogut dhe te gjetja e një rruge për të rikompozuar marrëdhënien me administratën amerikane.
Një sinjal i qartë në këtë drejtim është interpretuar edhe nga vendimi që përfaqësues të qeverisë italiane të marrin pjesë në festimet e 4 Korrikut në rezidencën e ambasadës amerikane në Romë, pavarësisht klimës së tensionuar të ditëve të fundit. Vetë ministri i Jashtëm Antonio Tajani ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një përpjekje për të mbajtur të hapura kanalet diplomatike.
Ndërkohë, edhe Presidenca italiane po ndjek me vëmendje zhvillimet. Shqetësimi kryesor mbetet shmangia e një përplasjeje institucionale me Shtetet e Bashkuara, një skenar që në Romë konsiderohet i dëmshëm për interesat afatgjata të vendit.
Në këtë kontekst, fjalia e Melonit se “nuk do të rikthehem më te kjo çështje” po lexohet si sinjali më i fortë i një ndryshimi kursi. Pas reagimit ndaj sulmeve të Trumpit, objektivi tashmë duket të jetë ulja e tensioneve dhe mbrojtja e marrëdhënieve dypalëshe.
Prova e radhës do të vijë shumë shpejt. Më 7 dhe 8 korrik, në samitin e NATO-s, Meloni dhe Trump pritet të takohen sërish ballë për ballë. Një takim që mund të shërbejë si momenti i parë për të matur nëse përplasja mes tyre do të mbetet një episod i izoluar politik apo do të lërë pasoja më të thella në raportet mes Romës dhe Uashingtonit.
Pavarësisht toneve të ashpra të ditëve të fundit, mesazhi që vjen nga qeveria italiane është i qartë, polemikat mund të vazhdojnë, por marrëdhëniet mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk mund të prishen./kb
