Franca është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që miraton një ligj për ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Projektligji u miratua nga Parlamenti francez dhe pritet të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Këshilli Kushtetues, ndërsa presidenti Emmanuel Macron është zotuar se masa do të zbatohet deri në muajin shtator.
Pas miratimit nga Senati, Asambleja Kombëtare e miratoi projektligjin me 279 vota pro dhe 81 kundër. Sipas ligjit, nga 1 shtatori fëmijët nën 15 vjeç nuk do të mund të krijojnë llogari të reja në rrjetet sociale, ndërsa llogaritë ekzistuese do të mbyllen duke filluar nga janari i vitit 2027.
Presidenti Macron e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në internet. Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ai falënderoi parlamentarët për mbështetjen e ligjit dhe theksoi se Franca po udhëheq Evropën në forcimin e mbrojtjes së të miturve në hapësirën digjitale.
Ministrja e Digjitalizimit, Anne Le Hénanff, deklaroi se afatet për zbatimin e ligjit janë të realizueshme, pasi teknologjitë për verifikimin e moshës tashmë ekzistojnë dhe përgjegjësia për zbatimin e tyre do t’u takojë platformave. Ajo shtoi se çdo përdorues në Francë do të duhet të verifikojë moshën, ndërsa llogaritë e personave nën 15 vjeç do të mbyllen. Sipas saj, mbrojtja e të dhënave personale të përdoruesve do të garantohet gjatë këtij procesi.
Ligji parashikon përjashtime për platformat edukative dhe enciklopeditë online, ndërsa nuk vendos sanksione ndaj fëmijëve apo prindërve. Një dispozitë tjetër e tij ndalon edhe përdorimin e telefonave celularë në shkollat e mesme, masë që synohet të zbatohet me fillimin e vitit të ri shkollor.
Vendimi vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë shtete po shqyrtojnë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e tyre në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Autoritetet franceze të shëndetit publik kanë paralajmëruar më herët se platforma si TikTok, Snapchat dhe Instagram mund të kenë efekte të dëmshme, veçanërisht tek vajzat adoleshente.
Edhe Komisioni Evropian po shqyrton vendosjen e rregullave të ngjashme pas kërkesave të disa shteteve anëtare, përfshirë Francën, Greqinë dhe Spanjën. Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se fëmijët duhet të kenë një qasje graduale në rrjetet sociale, ndërsa Komisioni ka nisur testimin e një aplikacioni për verifikimin e moshës.
Franca është një nga rreth 20 vendet në botë që kanë propozuar ose miratuar masa për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale. Më herët, Australia u bë vendi i parë në botë që kërkoi nga platformat kryesore të fshijnë llogaritë e përdoruesve nën moshën 16 vjeç, duke parashikuar gjoba të rënda për kompanitë që nuk respektojnë ligjin./ad
