Last Updated on 09/06/2026 by Kesjana
Në vitin 2025, në mbarë botën u regjistruan 65 konflikte që përfshinin të paktën një shtet, niveli më i lartë i shënuar që nga viti 1946.
Kjo sipas raportit vjetor “Trendet e Konflikteve” të publikuar të martën nga Instituti i Kërkimeve për Paqen në Oslo (PRIO).
Raporti gjithashtu zbulon se viti 2025 ishte viti i tretë më vdekjeprurës për konfliktet që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Vitet 1994 dhe 2021 kishin shënuar më shumë viktima. Studiuesja Siri Aas Rustad deklaroi se shifrat e këtij viti janë tronditëse:
“Zakonisht mund të gjej diçka pozitive në raport, por këtë vit numrat janë vërtet tronditës”, është shprehur ajo.
Numri i konflikteve direkte mes dy shteteve u dyfishua krahasuar me vitin 2024, duke arritur në tetë – shifra më e lartë në 80 vitet e fundit.
Mes tyre përfshihen përplasjet midis: Indisë dhe Pakistanit, Afganistanit dhe Pakistanit, Kamboxhias dhe Tajlandës si dhe lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës.
Në total, 35 vende u përfshinë në luftime. Disa shtete, si Izraeli, morën pjesë në disa konflikte njëkohësisht, përfshirë në Rripin e Gazës, Siri, Liban, Iran dhe kundër rebelëve Houthi në Jemen.
Sipas raportit, Afrika ishte kontinenti më i goditur nga konfliktet shtetërore, i ndjekur nga Azia, Lindja e Mesme, Amerika dhe Europa.
Studimi bazohet në të dhënat e mbledhura nga Programi i të Dhënave të Konflikteve Uppsala (UCDP), i lidhur me Universitetin Uppsala të Norvegjisë.
Raporti tregon po ashtu se rreth 245,000 persona humbën jetën në konflikte gjatë vitit 2025, duke e bërë atë vitin e tretë më vdekjeprurës të periudhës pas Luftës së Ftohtë.
Shkaqet kryesore të numrit të lartë të viktimave ishin: lufta e Rusisë në Ukrainë, dhuna në Sudan dhe bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës.
Nga këto viktima, rreth 76,500 ishin civilë të vrarë në sulme të drejtpërdrejta, një rritje dramatike krahasuar me 14,200 në vitin 2024.
Vetëm vitet 1994 dhe 2021 ishin më vdekjeprurëse. Kjo për shkak të gjenocidit në Ruandë, në të cilin u masakruan rreth 800,000 njerëz, dhe luftës civile në rajonin Tigray të Etiopisë, në të cilën u vranë qindra mijëra njerëz midis viteve 2020 dhe 2022.
Raporti i PRIO-s tha se kishte më shumë vdekje për shkak të luftimeve gjatë pesë viteve të fundit sesa në të gjitha dy dekadat para vitit 2021.
“Ajo që ka ndodhur në pesë ose gjashtë vitet e fundit është se kemi disa konflikte të mëdha që po ndodhin në të njëjtën kohë. Bota nuk ka aspak pushim”, tha Rustad. /kb
