Last Updated on 09/10/2026 by EL
Një rast që ka ngjallur reagime në Maqedoninë e Veriut lidhet me një ekskursion shkollor në Monte Karlo, ku drejtoresha dhe ndihmësdrejtori i një shkolle profesionale dyshohet se kanë luajtur në kazino, ndërsa nxënësit që shoqëronin i prisnin në korriodor.
Akuzat janë bërë publike nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), ndërsa rasti është raportuar edhe nga mediat maqedonase.
Sipas Jovançe Manaskovit, kryetar i Komisionit për Arsim dhe Shkencë të LSDM-së, bëhet fjalë për drejtoreshën Zhaneta Servini dhe ndihmësdrejtorin Lupço Zdravkovski të Qendrës Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional “Gjorgji Naumov” në Manastir teksa thekson se për rastin ekzistojnë video-incizime dhe fotografi, të cilat pritet të publikohen me fytyrat e turbulluara për të mbrojtur identitetin e nxënësve të mitur.
Manaskov pretendon se nxënësit kanë mbetur duke pritur në holl, ndërsa personat përgjegjës për shoqërimin e tyre luanin në makinat e lojërave të fatit.
“Në vend që të qëndronin me nxënësit, ata luanin në makinat elektronike të fatit në një kazino. Ndërkohë, nxënësit e mitur, për të cilët ata ishin përgjegjës, i prisnin në holl. Ky është një rast imoral dhe për këtë arsye kërkojmë përgjegjësi nga i pari te i fundit”, tha ai.
Ndërkohë partia opozitare i ka bërë thirrje ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevskës, të ndërmarrë një mbikëqyrje urgjente dhe të shqyrtojë nëse ekzistojnë baza për përgjegjësi ndaj personave të përmendur.
“Përgjegjësia në arsim nuk është privilegj, por detyrim. Nga LSDM-ja i bëjmë thirrje ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevskës, që menjëherë të kryejë mbikëqyrjen dhe të nisë procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë dhe shkarkimin e të gjithë personave të përfshirë.”- u shpreh Manaskovka.
Deri në momentin e raportimit, nuk është bërë i ditur ndonjë reagim nga drejtoresha, ndihmësdrejtori apo Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me këto pretendime.
Rasti mbetet për t’u verifikuar nga institucionet kompetente, ndërsa akuzat e publikuara nga LSDM-ja nuk përbëjnë, në vetvete, konfirmim të shkeljeve të pretenduara./et
