Një grup qytetarësh kanë protestuar mbrëmjen e djeshme para Gjykatës së Lartë, ku kanë kërkuar të bëhet drejtësi dhe të mos lirohet nga burgu kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj.
“O gjyqtar bëj drejtësi, lër Veliajn në qeli”, ishin thirrjet e qytetarëve kundër lirimit të kryebashkiakut ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale.
Kujtojmë se ditën e sotme në Gjykatën e Lartë do të zhvillohet gjyqi ku pritet të jepet vendimi pas kërkesës së bërë nga Erion Veliaj se ai është i njohur si kryetar bashkie nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet të kthehet në detyrë.
Seanca për kryebashkiakun pritet të nisë në orën 09:30, ndërsa kjo e sotmja cilësohet si një beteje e drejtësisë me korrupsionin.
Kjo për faktin se kryetari i bashkisë së Tiranës me 13 akuza të rënda penale, Erion Veliaj ndodhet në qelitë e burgut të Durrësit dhe me të gjitha vendimet e gjykatave masa e tij e sigurisë është quajtur e ligjshme. Nga ana tjetër prej 14 muajsh Erion Veliaj nuk pranon që të gjykohet, pra nuk shkon në gjykatë./k.m
