Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Annalena Baerbock, ka bërë thirrje urgjente për një armëpushim në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për pasoja të rënda humanitare dhe ekonomike nga përshkallëzimi i konfliktit.
Gjatë një konference për shtyp në Nju Delhi, Baerbock deklaroi se çdo përpjekje për arritjen e një armëpushimi është “shumë e nevojshme”, duke theksuar se situata aktuale po ndikon jo vetëm rajonin, por edhe ekonominë globale, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe plehrave kimike.
Ajo veçoi gjithashtu gjendjen në Rripin e Gazës, të cilën e përshkroi si “ende zemërthyese”, ndërsa shtoi se kriza humanitare po mbetet një nga shqetësimet më të mëdha të komunitetit ndërkombëtar. Sipas saj, pasojat e konfliktit po ndihen edhe në Liban, ku rreth 1.3 milionë persona janë zhvendosur.
Baerbock dënoi gjithashtu sulmet ndaj paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Liban, duke theksuar se siguria e tyre është një detyrim i të gjitha shteteve anëtare të OKB-së.
“Çdo sulm ndaj paqeruajtësve është i papranueshëm. Ata sakrifikojnë jetën e tyre për paqen në vende të tjera,” u shpreh ajo, duke theksuar se prioritet mbetet arritja jo vetëm e një armëpushimi, por edhe e një zgjidhjeje paqësore të qëndrueshme të konfliktit.
Deklaratat e saj vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa OKB vijon përpjekjet diplomatike për uljen e përshkallëzimit dhe mbrojtjen e civilëve./mxh
