Vendet e botës duhet të refuzojnë përpjekjet e Iranit për të vendosur kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë, sipas një deklarate të IMO, raportoi “Reuters”.
Këshilli drejtues i Organizatës Ndërkombëtare Detare të OKB-së (IMO) miratoi një dokument ku dënon vendimin e Iranit për krijimin e një strukture, që synon të kontrollojë trafikun detar në këtë ngushticë.
IMO deklaroi se vendet anëtare nuk duhet të njohin pretendimet e Iranit për sovranitet mbi ujërat e Ngushticës së Hormuzit dhe as vendimet që mund të pengojnë lundrimin ndërkombëtar.
Tensionet u rritën këtë javë, pas përplasjeve mes SHBA-së dhe Iranit, përfshirë sulme ajrore amerikane, pas akuzave të Uashingtonit se Teherani ishte përgjegjës për sulme ndaj anijeve.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike për tregtinë globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e furnizimeve botërore me naftë.
Çdo pengesë në këtë zonë, mund të ndikojë në tregjet energjetike dhe transportin detar.
Irani ka mohuar se po përpiqet të mbyllë ngushticën, duke thënë se masat e tij synojnë vetëm rritjen e sigurisë detare dhe mbrojtjen e interesave të vendit.
Teherani kundërshtoi deklaratën e IMO-së, duke e cilësuar atë si, të motivuar politikisht dhe argumentoi se nuk është pjesë e konventës ndërkombëtare të OKB-së, për të drejtën detare (UNCLOS)./mxh
