Last Updated on 28/11/2026 by Monika
Agjencia e njohur botërore e lajmeve Associated Press njoftoi sot për zhvillimet në Tiranë. Raporti thekson se si shpërthyen përleshje mes policisë dhe protestuesve në kryeqytetin shqiptar, ndërsa mijëra njerëz kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kjo është e fundit në një seri të gjatë protestash kundër qeverisë.
“Protesta nisi në mënyrë paqësore, por grupe të vogla protestuesish të maskuar u shkëputën nga turma dhe filluan të thyenin xhamat e ndërtesave të ministrive përgjatë itinerarit të marshimit”, raporton AP.
Agjencia e mirënjohur amerikane njoftoi se Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të zmbrapsur protestuesit, të cilët gjuanin me gurë e kokteje molotov, si dhe përdornin shkopinj druri për të thyer kamerat e rrugës dhe xhamat e ndërtesave qeveritare. Re gazi lotsjellës u përhapën në zonë ndërsa protestuesit shpërndaheshin nëpër disa rrugë.
Në raportin e AP theksohet se Shqiptarë nga e gjithë vendi, si dhe nga jashtë shtetit, erdhën në Tiranë për këtë tubim, i cili përkoi me 114-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit, një ditë që zakonisht shënohet me festime dhe është festë zyrtare. Policia ishte vendosur përgjatë rrugëve kryesore që hyjnë e dalin nga kryeqyteti, duke kryer kontrolle të automjeteve.
“Protesta e së shtunës ishte pjesë e një sërë demonstratash që filluan në fund të majit, të nxitura fillimisht nga kundërshtimi ndaj një projekti të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, i cili lidhet me një firmë investimesh të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Këto protesta u njohën si lëvizja “Flamingo” dhe më pas u pasuan nga demonstrata studentore në shtator, shumë prej të cilave u shndërruan në të dhunshme, ku studentët kërkonin arsim më të mirë dhe standarde më të larta jetese.
Kërkesat e protestuesve më pas u zgjeruan, duke përfshirë edhe thirrjet për dorëheqjen e Ramës. Protestuesit thërrisnin “Dorëheqje!” ndërsa mblidheshin në sheshin kryesor të Tiranës, sheshin “Skënderbej”, raportoi sot AP për ngjarjet në Tiranë./Mxh
