Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar pro planit të paqes të paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump për Rripin e Gazës, i cili parashikon edhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Vendimi autorizon fazën e dytë të planit prej 20 pikash të presidentit amerikan, që përfshin krijimin e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) me qëllim çmilitarizimin e territorit dhe ngritjen e një administrate të përkohshme qeverisëse.
Rezoluta u mbështet nga 13 vende anëtare të Këshillit mes tyre Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Somalia, ndërsa asnjë shtet nuk votoi kundër. Rusia dhe Kina abstenuan.
Drafti gjithashtu përmend mundësinë e krijimit të një shteti palestinez, një perspektivë që Izraeli e kundërshton fuqishëm. Përveç autorizimit të ISF-së, e cila pritet të bashkëpunojë me Izraelin dhe Egjiptin, fqinjin jugor të Gazës, dokumenti kërkon edhe formimin e një force të re policore palestineze të trajnuar posaçërisht për Gazën.
Deri më tani, struktura policore në territor është funksionuar nën autoritetin e Hamasit./ K.M
