Policia në Ekuador ka sekuestruar 469 kilogramë kokainë të fshehur në një kamion pranë kufirit me Kolumbinë. Ajo që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ishte imazhi i sulmuesit norvegjez Erling Haaland në paketimet e drogës.
Ngarkesa ishte ndarë në 370 pako, të fshehura në një hapësirë të krijuar posaçërisht në dyshemenë e dyfishtë të kamionit. Në paketimet jeshile ishte vendosur fotografia e Haaland.
Operacioni u zhvillua në rajonin Wagua Negro, pranë qytetit kufitar Tulcán, rreth 246 kilometra në veri të kryeqytetit Quito. Autoritetet kishin marrë një informacion anonim për një ngarkesë të dyshimtë në Autostradën Pan-Amerikane dhe më pas ndaluan dhe kontrolluan kamionin.
Gjatë kontrollit u zbulua hapësira e fshehtë me qindra pakot e kokainës. Në kuadër të operacionit, një grua u arrestua.
Autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim për përdorimin e imazhit të Haaland në paketimet e drogës. Sipas raportimeve, grupet kriminale përdorin shpesh emra, imazhe ose simbole të personazheve të njohur për të identifikuar ngarkesat e tyre ose destinacionin e tyre.
Ky nuk është rasti i parë kur imazhi i një futbollisti të njohur shfaqet në paketime droge. Në një tjetër sekuestrim, autoritetet kanë gjetur edhe imazhin e Lionel Messit në një pako.
Sipas Associated Press, vlera e ngarkesës së sekuestruar vlerësohet në rreth 731 mijë euro në tregun vendas në Ekuador. Nëse kokaina do të arrinte në SHBA, vlera e saj do të kalonte 9.5 milionë euro, ndërsa në tregun evropian do të ishte mbi 17 milionë euro./ad
