Përgatiti: Leonard Veizi
Viti 1913 ishte vit i trazuar për Shqipërinë. Sapo kishte dalë nga harta e Perandorisë Osmane, vendi i vogël në brigjet e Adriatikut po përpiqej të kuptonte jo vetëm se ç’do të thoshte të jesh i pavarur, por edhe pse i duhej një princ për ta qeverisur. Në këtë skenë të paqartë politike, ku intrigat diplomatike përziheshin me thashethemet e pazarit dhe kufijtë vizatoheshin më shpejt nga sa shkruhej një letër, u shfaq një figurë krejt e pazakontë: Oto Vite.
Kush ishte Oto Vite?
Oto Vite [Kllouni që u bë mbret. Oto Vite – “Mbreti i Shqipërisë për 5 ditë”] ishte artist cirku, iluzionist dhe mjeshtër i mashtrimeve. Një njeri që nuk ia linte kurrë fatit rolin kryesor – për të bota ishte një arenë dhe ai vetë protagonist i përhershëm. Kishte performuar në çadra cirku anembanë Evropës, kishte hipur mbi kuaj, kishte kaluar nëpër unaza zjarri dhe, mbi të gjitha, kishte ndërtuar reputacionin si shpikës i skenarëve më të çuditshëm.
Një ditë, teksa stërvitej për një numër akrobatik, një nga shokët e tij e vështroi me kujdes dhe i tha diçka që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së Ballkanit:
-Oto, ti i ngjan si dy pika uji Princit Halim Edini!
Princi gjerman kundër Princit turk
Ky emër misterioz, Halim Edini [Halim Eddine], përflitej si një nga pretenduesit e mundshëm të fronit shqiptar. Bëhej fjalë për një princ turk, nip i sulltanit osman, që u konsiderua për një kohë të shkurtër si sundimtar i mundshëm i Shqipërisë në vitin 1913. Disa qarqe shqiptare, që kërkonin një udhëheqës mysliman, e panë atë si kandidat ideal pas shpalljes së Pavarësisë.
Në atë moment, mes rënkimit të kafshëve në kafaz dhe rrahjes së daulleve të cirkut, lindi një ide që do t’i bënte edhe regjisorët e Hollivudit të skuqeshin nga zilia: Nëse Shqipëria kërkonte princ, pse të mos ia jepnin… një të tyren? Sigurisht, “princi” do të ishte Oto Vite.
Aventura mbretërore
Në pranverën e vitit 1913, me pasaportë false dhe me humor të pafund, Oto Vite, bashkë me disa miq të besuar – mes tyre edhe Maks Shlepsig [Max Schlepsig], një gëlltitës profesionist shpatash – u nis drejt Durrësit.
Legjenda thotë se më 13 gusht ai u paraqit para autoriteteve vendase si “Princi Halim Edini” dhe, për çudinë e tij dhe të të gjithëve, u prit me nderime solemne.
Në versionin që Vite tregoi gjithë jetën, ngjarjet rrodhën me shpejtësi të çmendur: ai shpalli luftë ndaj Malit të Zi, dha amnisti për të burgosurit, shpërndau shpërblime në ar për krerët lokalë dhe, pse jo, mori edhe një harem personal. Shqipëria kishte një “mbret” – të paktën sipas Oto Vites – dhe mbretërimi zgjati pesë ditë plot shkëlqim, marrëzi dhe shumë, shumë improvizim. Kur autoritetet zbuluan mashtrimin, Oto nuk priti që t’i këndohej himni i fundit: u arratis me disa nga vajzat e haremit dhe, sipas rrëfimit të tij, me një pjesë të mirë të thesarit.
E vërteta? Një mirazh ballkanik
Këtu fillon mjegulla historike. Nuk ekziston asnjë dokument zyrtar, as në arkivat shqiptare, as në ato osmane, që të përmendë ndonjë Princ Halim Edini, e jo më ndonjë kurorëzim të tij në Durrës. Historianët e konsiderojnë këtë një trill të pastër, një histori të sajuar nga fillimi në fund nga një njeri që dinte t’i shiste përrallat më mirë se biletat e cirkut. Por, si çdo rrëfim i mirë, edhe ky e gjeti rrugën drejt gazetave dhe legjendës popullore.
Trashëgimia e një “mbreti” prej letre
Oto Vite nuk u përpoq kurrë ta fshehë këtë histori – përkundrazi, e shndërroi në dekorin më të madh të karrierës së tij. Në letërnjoftimin e tij gjerman u regjistrua si “Ish-Mbreti i Shqipërisë”, dhe e njëjta fjali krenare mund të lexohet edhe sot mbi varrin e tij në Hamburg. Ai u nda nga jeta më 13 gusht 1958, fiks 45 vjet pas ditës që kishte zgjedhur si datë kurorëzimi.
Historia e Oto Vites është një përzierje guximi, farse dhe ëndrre të gjallë. Edhe nëse nuk ka asnjë bazë faktike, ajo mbetet një nga ato tregime që provojnë se realiteti, sidomos në Ballkan, mund të jetë po aq i çuditshëm sa fantazia. Për pesë ditë, Oto ishte “mbret” – jo i Shqipërisë, por i skenës së vet të madhështisë, ku publiku ishte gjithmonë gati të duartrokiste.
Histori të ngjashme nga bota
Në botë raste të tilla ka plot. Ja disa kur njerëz krejt të zakonshëm – shpesh mashtrues, aventurierë ose thjesht fatlumë – u gjetën papritur në role mbretërore, politike apo heroike.
1-Gregor Makgregor – “Princi” i Pojaisit
Në fillim të shekullit XIX, aventurieri skocez Gregor Makgregor [Gregor MacGregor] shpalli se ishte sundimtari i një mbretërie të pasur në Amerikën Qendrore, të quajtur Pojais. Ai shiti “tokë” dhe “tituj fisnikërie” për një vend që nuk ekzistonte. Investitorët humbën gjithçka, por Makgregori përfundoi duke jetuar i lirë në Venezuelë.
2-Xhoshua Norton – “Perandori” i Amerikës
Në vitin 1859, në San Francisko, një tregtar i falimentuar u shpalli qytetarëve se ishte “Perandori Norton I, Perandor i Shteteve të Bashkuara dhe Mbrojtës i Meksikës”. Në vend që ta tallnin, banorët e qytetit e trajtuan si figurë të dashur, duke pranuar madje “monedhën” e tij të shtypur vetë.
3-Ana Anderson – “Anastasia” e Romanovëve
Një grua gjermane në vitet 1920, Ana Anderson [Anna Anderson], pretendoi se ishte Anastasia, vajza e Carit Nikolla II, e mbijetuar nga ekzekutimi i familjes Romanov. Shumë njerëz e besuan për dekada, derisa analizat e ADN-së në vitet ’90 provuan se ajo nuk kishte asnjë lidhje me Romanovët.
4-Perkin Uorbek – Pretendenti i Tudoreve
Në fund të shekullit XV, një tregtar flamand, Perkin Uorbek [Perkin Warbeck], deklaroi se ishte Riçardi i Shrusberit, djali i dytë i Eduardit IV të Anglisë dhe trashëgimtari i ligjshëm i fronit. Ai fitoi përkrahje nga oborret e huaja dhe shkaktoi rebelime të mëdha kundër Henrit VII, para se të kapej dhe të ekzekutohej.
5-Meri Toft – “Gruaja që lindi lepuj”
Në Angli, në vitin 1726, Meri Toft [Mary Toft] pretendoi se kishte lindur disa lepuj të vegjël. Historia tronditi mjekët e kohës, përfshirë edhe mjekun personal të mbretit Xhorxh I. Më vonë u zbulua se ajo kishte futur fshehurazi copa lepujsh në trup për të mashtruar mjekët.
