Last Updated on 05/11/2025 by EL
Që pas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për regjistrimin e emrit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si person nën hetim për “shkelje të barazisë në tendera”, opozita në Shqipëri ka reaguar në mënyra të ndryshme, ku, përveçse retorikës fyese dhe linçuese, të bie në sy insistimi për transparencë, pa ndikime nga politike dhe kërkimi i llogarisë publike për kontratat e mëdha infrastrukturore.
PD kërkon interpelancë
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi se do të kërkojë interpelancë urgjente me ministren Balluku në Kuvend, për të diskutuar mbi ndikimin e hetimit në punën e ministrisë dhe në projektet publike të infrastrukturës.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh për mediat se opozita nuk synon të gjykojë paraprakisht, por kërkon transparencë të plotë:
“Transparenca është mënyra e vetme për të ruajtur besimin e publikut te institucionet. Hetimet duhet të kryhen pa asnjë ndërhyrje politike, dhe Kuvendi ka detyrimin të kërkojë përgjigje.” – tha Bardhi.
Burime pranë PD-së thanë për TemA se interpelanca do të përfshijë kërkesën për publikimin e dokumenteve të tenderit të tunelit të Llogarasë dhe shpjegime për mënyrën e ndarjes së kontratave.
Agron Shehaj: “Një provë për pavarësinë e drejtësisë”
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e cilësoi rastin si “një provë për sistemin e drejtësisë së re” dhe për mënyrën se si ajo trajton zyrtarët e lartë:
“Kjo është një mundësi për të parë nëse drejtësia e re është vërtet e barabartë për të gjithë. Çdo hetim duhet të bëhet me standarde të njëjta, pa privilegje e pa ndërhyrje.” – u shpreh ai.
Sipas tij, mënyra se si do të trajtohet rasti do të tregojë nëse Shqipëria po hyn në një fazë të re të funksionimit të shtetit ligjor.
Arlind Qori: “Duhet transparencë për kontratat publike”
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, e ka parë çështjen si një rast që mund të ndikojë pozitivisht në forcimin e llogaridhënies publike:
“Ky rast duhet të shërbejë për të vendosur standarde të reja në menaxhimin e fondeve publike. Qytetarët kanë të drejtë të dinë si përdoren taksat e tyre dhe kush mban përgjegjësi për to.” – tha kreu i Lëvizjes Bashkë.
Ai shtoi se vëmendja duhet të përqendrohet më shumë te sistemi i prokurimeve publike sesa te emrat individualë, duke e konsideruar hetimin si “një rast për të mësuar, jo për të gjykuar politikisht”.
Në përfundim
Rasti i marrjes në hetim të zëvendëskryeministres Balluku shihet nga opozita si një test për pavarësinë e drejtësisë dhe për standardet e llogaridhënies në qeverisje.
Të gjitha partitë opozitare kërkojnë që hetimi të zhvillohet në mënyrë të pavarur, transparente dhe të shpejtë, ndërsa Kuvendi të ushtrojë rolin mbikëqyrës për të garantuar integritetin e përdorimit të fondeve publike./ e.t
