Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Një orë xhepi prej ari, e cila iu gjet trupit të njërit prej pasagjerëve më të pasur të anijes “Titanik”, pritet të shitet për rreth 1 milion paund në ankand.
Ora 18 karatësh e markës Jules Jurgensen i përkiste Isidor Straus, bashkëpronarit të rrjetit të njohur të dyqaneve Macy’s në Nju Jork. Straus dhe bashkëshortja e tij, Ida, humbën jetën më 14 prill 1912, kur “Titaniku” u mbyt pas përplasjes me një ajsberg.

Trupi i tij u gjet disa ditë pas tragjedisë, dhe ndër sendet personale që iu rikthyen familjes ishte edhe ora, e cila ishte ndalur në 2:20 të mëngjesit – momenti kur anija u zhyt plotësisht në oqean.
Sipas ankandistit Andrew Aldridge nga shtëpia e ankandeve Henry Aldridge & Son në Wiltshire, ora është “një pjesë unike historie që rrëfen historinë e dashurisë dhe tragjedisë së çiftit Straus”.
Ora, e cila besohet të ketë qenë dhuratë nga Ida për Isidorin në vitin 1888, do të shitet më 22 nëntor, së bashku me një letër të rrallë që Ida kishte shkruar gjatë udhëtimit, ku përshkruante luksin e anijes.
Letra pritet të arrijë deri në 150 mijë paund, ndërsa ora mund të bëhet një nga artefaktet më të shtrenjta të lidhura me “Titanikun”, pas një ore tjetër të ngjashme që u shit vitin e kaluar për 1.56 milion paund./ MXH
