Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Punonjësit e unionizuar të kompanisë Starbucks në 65 dyqane në Shtetet e Bashkuara kanë nisur një grevë, duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune, pas ndërprerjes së negociatave me drejtuesit e kompanisë.
Sindikata Starbucks Workers United, e cila përfaqëson mbi 1,000 baristë në më shumë se 40 qytete amerikane, thotë se greva është organizuar për të protestuar ndaj qindra shkeljeve të praktikave të punës dhe për të ushtruar presion mbi kompaninë që të rikthehet në bisedime.
Protesta përkon me ditën e njohur të ofertave “Red Cup Day”, një nga ngjarjet më të mëdha të shitjeve të Starbucks. Përfaqësuesit e sindikatës paralajmëruan se greva mund të zgjerohet nëse palët nuk arrijnë marrëveshje.
Kompania ka deklaruar se greva prek më pak se 1 për qind të dyqaneve të saj në SHBA dhe se shërbimi do të vijojë normalisht në pjesën më të madhe të lokacioneve.
Ndërkohë, Starbucks po përballet me një periudhë sfidash, përfshirë bojkotet e konsumatorëve, konkurrencën e shtuar dhe kritikat për çmimet e larta. Drejtori ekzekutiv i ri, Brian Niccol, ka nisur një plan reformash të quajtur “Back to Starbucks”, që synon rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e shërbimit, me investime mbi 500 milionë dollarë për trajnime dhe staf shtesë.
Pavarësisht përpjekjeve, shitjet në tregun amerikan kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa sindikata kërkon që ndryshimet të reflektohen edhe në përfitimet dhe pagat e punonjësve./ MXH
