Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë për përpjekje për të “marrë pushtetin” përmes, siç tha ai, organizimit të kaosit dhe presionit politik përpara zgjedhjeve parlamentare të fundjavës.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Orban pretendoi se opozita po bashkëpunon me shërbime të huaja sekrete dhe po nxit tensione dhe protesta, duke synuar të vërë në pikëpyetje vullnetin e qytetarëve hungarezë.
Ai nuk paraqiti prova për këto pretendime, ndërsa i cilësoi veprimet e opozitës si një përpjekje të organizuar për të delegjitimuar procesin zgjedhor.
Deklaratat vijnë në një moment kur Orban përballet me sfidën më të madhe politike në 16 vitet e fundit në pushtet. Sipas sondazheve të publikuara në media hungareze, partia opozitare Tisza prin ndaj partisë së tij Fidesz, megjithëse një numër i madh votuesish të pavendosur e bën rezultatin ende të pasigurt.
Zgjedhjet e së dielës pritet të jenë vendimtare për të ardhmen politike të Hungarisë dhe për balancën e forcave në vend./MXH
