Avokatët e Diddy-t kanë kërkuar lejen e gjykatës për t’u tërhequr nga përfaqësimi i tij në një padi për shpifje, duke pretenduar se producenti i muzikës nuk i ka paguar tarifat ligjore prej më shumë se gjashtë muajsh.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Daily Mail, firma ligjore Sher Tremonte LLP ka paraqitur një mocion për t’u tërhequr nga çështja që Sean “Diddy” Combs ka ngritur kundër Courtney Burgess, Ariel Mitchell dhe Nexstar Media Inc., kompania mëmë e NewsNation.
Avokati Michael Tremonte, partner në firmë, pretendon se Combs ka krijuar “detyrime të konsiderueshme” ndaj zyrës për shërbimet ligjore. Sipas tij, përfaqësimi është bërë gjithnjë e më i vështirë edhe për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe komunikimit nga ana e klientit.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë thuhet se Combs nuk ka bërë asnjë pagesë për më shumë se gjashtë muaj dhe se pagesa e fundit lidhej me tarifa dhe shpenzime të krijuara në fund të vitit 2025. Firma pretendon gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve përfshin fatura që kanë mbetur të papaguara për më shumë se 90 ditë.
“Ka pasur një ndërprerje të plotë të komunikimit”

Avokatët pretendojnë se situata nuk lidhet vetëm me pagesat. Sipas tyre, Combs nuk ka qenë i disponueshëm për më shumë se katër muaj për komunikime “në kohë, kuptimplota dhe të drejtpërdrejta” lidhur me çështjen.
Firma argumenton se kombinimi i borxhit të papaguar dhe mungesës së bashkëpunimit e ka bërë “jashtëzakonisht të vështirë” vazhdimin e përfaqësimit të tij dhe ka kufizuar aftësinë e avokatëve për t’i ofruar shërbime ligjore efektive.
Sipas dokumenteve, Combs ishte paralajmëruar disa herë se firma do të kërkonte tërheqjen nga çështja nëse tarifat nuk do të shlyheshin dhe nëse ai nuk do të ishte i disponueshëm për komunikim të drejtpërdrejtë.
Diddy mohon pretendimet për faturat

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Diddy-t i ka kundërshtuar pretendimet e firmës. Në një deklaratë për Daily Mail, ai tha se Combs kishte vendosur të ndryshonte avokatët pasi, sipas tij, firma po i ngarkonte tarifa të tepruara dhe po paraqiste fatura që nuk ishin miratuar.
“Kjo është thjesht një mosmarrëveshje biznesi”, tha përfaqësuesi, duke mohuar se çështja e pagesave lidhet me refuzimin e Combs për të bashkëpunuar.
Ai përmendi gjithashtu avokatin Jonathan Davis, i cili ka përfaqësuar Combs për 33 vjet dhe vazhdon ta mbrojë atë në çështje civile. Sipas përfaqësuesit, vështirësitë që sjell përfaqësimi i një klienti që ndodhet në burg janë të konsiderueshme, por jo të pakapërcyeshme.
Diddy aktualisht ndodhet në burg pasi u dënua vitin e kaluar për dy vepra penale të lidhura me prostitucionin. Çështja për shpifje është një proces i veçantë civil, në të cilin ai ka paditur Courtney Burgess, Ariel Mitchell dhe Nexstar Media Inc./k.m
