Last Updated on 13/10/2026 by Monika
Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka folur për video skandalet seksuale që shpërthyen në Shqipëri dhe histerinë që shoqëroi këto skandale.
Fevziu tha se duhet të ashpërsohen dënimet për personat që përgjojnë pa leje, ndërkohë që u ndal edhe te histeria dhe paragjykimi shoqëror ndaj grave që janë filmuar pa dëshirën e tyre.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Ditët e fundit kanë shpërthyer video skandale seksuale, politikë e madhe, por edhe seks shumë, video të shumta të shpërndara. Populli po i sheh dhe po i përhap me shpejtësi të madhe. Ti ke bërë edhe emisione për këtë. Ç’po ndodh vallë? A po kthehet skandali në normalitet në Shqipëri?
Blendi Fevziu: Ka një libër interesant të Jacques Attali, që titullohet “Një udhëtim në të ardhmen”. Ai në një mënyrë të çuditshme ka parashikuar, natyrisht jo inteligjencën artificlae por një pjesë të madhe të ndikimit që teknologjia do të kishte në jetën e njeriut. Attali thotë se si pasojë e teknologjisë dhe botës së hapur, skandalet do të bëhen më të shumta, por pesha e skandaleve do të jetë më relative. Natyrisht, skandali më parë kishte bujë dhe trondiste, sot për arsye se janë më të shpeshta, kapen më kollaj, kalon shpejt dhe nuk lë më gjurmët që duhet të linte. Në Shqipëri ka patur disa herë gjurmë të ngjashme. Skandale që kanë ardhur kryesishte me përgjime, jo me regjistrime, sepse këto ishin regjistrime të bëra vetë. Kur ndodh një skandal, ndodh një atmosferë e përgjithshme që të gjithë mendojnë që nuk është një por një breshëri skandalesh. Pastaj kalon kjo dhe vjen efekti i rradhës, gjëja e rradhës, mund të jetë politike, etj. Përshembull para një viti e gjysmë, kur ndodhi historia e Parashqevi Simakut, që gjeta një video dhe e publikova, plasi një histeri e madhe e njerëzve. Një nga njerëzit e rëndësishëm të këtij vendi më mori në telefon dhe më tha si shpjegohet ky reagim histerik i njerëzve, sepse shoh njerëz që nuk kanë lidhje me këtë gjë, që thonë do të kontribuojnë, do të japim miliona… Kur e takova Parashqevinë, vetëm një njeri nga mijëra vetë që shpërthenin në momentin e skandalit, kishte shkuar ta ndihmonte. Kjo është histori skandalesh, njerëzit identifikohen me bujën e skandalit, mundohen të ketë vëmendje. Megjithatë janë gjëra që kalojnë.
Ylli Rakipi: Si u trajtua kjo në publik? Më shumë u duk sikur u fajësuan gratë që shfaqen në video, sesa njeriu që i ka filmuar ato.
Blendi Fevziu: Regjistrimi është skandal, shkelje ligjore, pabesi njerëzore dhe e padrejtë. Nuk mund të regjistrosh askënd. Tjetër gjë është kur të përgjojnë, përgjimi ndodh në botë, futen shërbime, njerëz, por kur filmon vetë, më mirë mos filmo, mos fotografo. Po qe se gjëja është në telefon, nuk e mban dot më.
Ylli Rakipi: Po pse i dueshin këtij këto, mos është i sëmurë?
Blendi Fevziu: Nuk e di, mund të ketë shumë shpjegime. Aty duket që ai regjistron vetë, pasi dikush i thotë ke kamera, dhe ai thotë është alarm. Fakti që ka qenë në dijeni dhe e ka thënë edhe në polici, që kanë qenë kamera sigurie, por kamera e sigurisë rri në tavan. E dyta, kamera sigurie në dhomë gjumi përse do ketë njeriu.
Një person më shkruajti në Instagram, më tha ndërtova shtëpi në Gjermani, dhe e mbusha me kamera si shqiptar i mirë. Ditën e tretë u paraqit policia dhe më vunë gjobë, më detyruan të kthej kamera nga oborri im. Në Shqipëri, kamerat vendosen gjithandej dhe janë me zë. Kam bërë eksperiment me gazetarët e kronikës, kemi gjetur një IT që depërtonte në kamerat e sigurisë së lokaleve. Po të jetë pak qetësi, kamera regjistron gjithë bisedën. Nuk është më kamera sigurie por përgjimi. Smart City ty mund të të identifikojë që nga momenti i parë i daljes nga shtëpia, deri kur të kthehesh. Kush e ka sigurinë tonë në dorë? Mendoj se qeveria duhet të ashpërsojë dënimet për ata që përgjojnë pa leje dhe shpërndajnë këto materiale.
Ylli Rakipi: Duket se jemi në stad zhvillimi që lë për të dëshiruar. Ne mburremi shumë, por kemi probleme të rëndësishme. Të prapambetur jemi pak.
Blendi Fevziu: Shumë, jo pak. Jemi shoqëri hipokrite, ndryshe flasim në publik dhe ndryshe veprojmë në jetë. Asnjeri në botë nuk mund të barazojë mënyrën si sillet në jetën private dhe mënyrn si flet në publik, por që diferenca të jetë diametralisht e kundërt është skandaloze. Po marr rastin e zonjave, ato ishin në një moment intim të jetës së tyre, në një marrëveshje, në një marrëdhënie me një marrëveshje, nuk ishin as në një zyrë shteti, as në një ambient publik, ishin në ambjent privat. Paragjykimi dhe histeria e publikut, për të goditur njerëzit është e frikshme. Pastaj mos harro jemi në fillimet e inteligjencës artificiale, imagjino se çfarë mund të montosh./mxh
