Last Updated on 10/09/2026 by EL
Paga mesatare në Shqipëri kaloi 92 mijë lekë në tremujorin e dytë të vitit, duke u rritur me 10% në një vit. Por diferencat mbeten të mëdha, me financat dhe teknologjinë që paguajnë mbi dyfishin e mesatares kombëtare.
Paga mesatare në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke kaluar nivelin e 92 mijë lekëve bruto në muaj. Megjithatë, të dhënat tregojnë se tregu i punës mbetet i polarizuar, me më shumë se një të katërtën e të punësuarve që deklarohen me pagë minimale, ndërsa paralelisht po zgjerohet edhe grupi i punonjësve që marrin mbi 120 mijë lekë në muaj.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë arriti në 92,150 lekë në tremujorin e dytë 2026, me një rritje prej 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ecuria e viteve të fundit tregon një rritje të ndjeshme të pagës nominale. Në tremujorin e dytë të vitit 2024 paga mesatare ishte 75,114 lekë, ndërsa një vit më vonë arriti në 83,906 lekë. Në tremujorin e parë të këtij viti paga mesatare ishte 90,120 lekë, për t’u ngjitur në 92,150 lekë në prill-qershor. Brenda dy viteve paga mesatare është rritur me rreth 17 mijë lekë.
Por diferencat mes sektorëve mbeten të mëdha. Financat dhe sigurimet vazhdojnë të jenë aktiviteti ekonomik më i paguar në vend, me një pagë mesatare mujore prej 187,267 lekësh, ose më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare. Në vend të dytë renditet sektori i informacionit dhe komunikacionit, ku paga mesatare arrin në 143,528 lekë. Këto janë edhe dy aktivitetet ekonomike që rezultojnë me paga mesatare mbi nivelin kombëtar./et
