Kina ka njoftuar se një nga nëndetëset e saj ka testuar me sukses një raketë balistike me kokë të rreme mbi Oqeanin Paqësor. Pekini tha se ky ishte një ushtrim rutinë i programit të tij ushtarak vjetor dhe se nuk ishte i drejtuar kundër asnjë vendi.
Megjithatë, Australia reagoi me shqetësim të fortë. Ministrja e Jashtme Penny Wong e cilësoi veprimin si pjesë të një rritjeje të shpejtë ushtarake të Kinës që sipas saj mungon transparenca dhe krijon pasiguri në rajon.
Edhe Ministri i Mbrojtjes Richard Marles tha se Australia është shumë e shqetësuar për çdo veprim që cenon stabilitetin në Paqësor.
Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të re mbrojtjeje mes Australisë dhe Fixhit. Kryeministri australian Anthony Albanese e quajti marrëveshjen një nga më të rëndësishmet mes dy vendeve.
Marrëveshja forcon bashkëpunimin ushtarak dhe zhvillimor dhe është pjesë e përpjekjeve të Australisë për të rritur praninë në Paqësor.
Nga ana tjetër, Kina ka zgjeruar ndikimin e saj në rajon vitet e fundit, përfshirë edhe marrëveshjen e sigurisë me Ishujt Solomon në vitin 2022, gjë që ka ngritur shqetësime në Australi dhe aleatët e saj. Kryeministri i Fixhit Sitiveni Rabuka tha se marrëveshja nuk rrezikon marrëdhëniet e vendit të tij me Kinën. /kb
