Last Updated on 26/04/2026 by Kesjana
Kryeministri Edi Rama tha sot se 500 aplikuesit e parë që do të marrin leje për të bërë investime përmes programit “Paketa e Maleve”, do të përjashtohen nga taksa për 10 vite.
Duke folur në episodin e radhës të podcast-it të tij”Flasim”, Rama u shpreh se qytetarët që janë të dyzuar duhet ta provojnë këtë paketë, që siç theksoi, do të rihapë dyert e vjetra të banesave të trashëguara ndër breza nëpër zona të ndryshme të vendit.
“Për këtë është krijuar paketa e maleve, për të adresuar edhe një problematikë të mbartur nga vitet në territore të mrekullueshme ku pronarët legjitimë nuk gëzojnë titujt e pronësisë sepse nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe ndërkohë nuk kanë konflikte mes tyre. Dhe përmes investimit ata do të mund të sigurohen se në fund të procesit, ku do të kenë edhe lehtësira domethënëse fiskale, për shembull, 500 të parët që do të marrin lejen për të filluar punën do të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, ata do të kenë edhe titullin e pronësisë. Kështu që, për të gjithë ata që më dëgjojnë dhe që janë të interesuar apo janë të dyzuar apo janë dyshues, provoni paketën e maleve. Provoni paketën e maleve! Provoni paketën e maleve dhe është pak, por e sigurt që në rast se do të hapni derën e shtëpisë së vjetër të gjyshit dhe do të rindizni oxhakun në atë shtëpi apo do të krijoni një fermë të vogël, një pikë agropërpunimi diku në një tokë që është larg territoreve të qyteteve, koha do të më japë të drejtë, do të na japë të drejtë dhe ju do të jeni të lumtur me atë hap që hidhni sot”,-tha Rama./kb
