Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Deputeti i PD-së Eno Bozdo ka komentuar paketën e re fiskale 2027 të prezantuar nga kryeministri Edi Rama.
I ftuar në emisionin Now me Erla Mëhillin, Bozdo tha se elementi i parë problematik është përfshirja në skemën e TVSH-së e 17 mijë bizneseve.
Bozdo u shpreh se profesionet e lira preken në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Kjo paketë duhet lexuar së bashku me projektbuxhetin për të kuptuar gjithë filozofinë e qeverisjes. Absolutisht nuk jemi të kënaqur. Dokumentet që kam këtu flasin për tatim fitimin korporativ nga 15-17 për qind.
Elementi i parë shumë problematik është përfshirja në skemën e TVSH-së e 17 mijë bizneseve të vogla. Profesionistët e lirë preken në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtu futen konsulentët, farmacistët, inxhinierët, avokatët dhe noterët. Kjo është direkt taksë mbi xhiron.
Ata do të bëjnë të njëjtën gjë, një pjesë do të rrisin çmimet. E dyta, edhe për bizneset e vogla ka kosto shtesë që u imponohet me futjen në skemë. Një ekonomist apo kontabilist duhet të mbajë regjistër më vete, që është kosto”, tha Bozdo./Mxh
