Në lagjen Silwan të Jerusalemit Lindor, në jug të Xhamisë Al-Aksa, dhjetëra familje palestineze po përballen me urdhra dëbimi, në favor të një organizate izraelite të kolonëve që ka marrë tashmë nën kontroll pjesë të këtij distrikti palestinez.
Mes tyre është edhe Kayed Rajabi, shtëpia e të cilit sot rrethohet nga ndërtesa mbi të cilat valëviten flamuj të mëdhenj izraelitë – shenjë se ato janë tashmë në pronësi të kolonëve. Sipas tij, kolonët kanë nisur të blejnë shtëpi në Silwan që nga viti 2004 dhe deri më tani kanë përfituar rreth 40 ndërtesa, shumë prej tyre përmes dëbimeve të detyruara.
Rajabi thotë se organizata e kolonëve Ateret Cohanim u ka ofruar atij dhe banorëve të tjerë palestinezë të blejë pronat e tyre, por shumica kanë refuzuar. Ai bën pjesë në 32 familje që kanë marrë urdhër për t’u larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa atij dhe vëllezërve të tij u është dhënë afat deri në fund të muajit të Ramazanit, rreth mesit të marsit, për t’u larguar, bazuar në një vendim të Gjykatës së Lartë të Izraelit.
Familja e Rajabit ka jetuar në këtë zonë që prej vitit 1967 dhe, sipas tij, toka ishte blerë nga një oficer jordanez. Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Ateret Cohanim, Daniel Luria, i ka quajtur palestinezët në Silwan “banorë të paligjshëm”, duke pretenduar se toka u përkiste hebrenjve jemenas para vitit 1929 dhe se rikthimi i kolonëve po korrigjon një padrejtësi historike – një pretendim që Rajabi e mohon.
Gjykata e Lartë izraelite nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesës për koment.
Palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor, të pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967, si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm dhe paralajmërojnë se largimi nga shtëpitë në këtë zonë mund t’i japë fund përfundimisht kësaj shprese. Ndërkohë, ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka deklaruar se synimi është “varrosja” e idesë së një shteti palestinez.
Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si kryeqytetin e tij, një status që nuk njihet ndërkombëtarisht, dhe ka inkurajuar vendosjen e kolonëve hebrenj në zona kryesisht palestineze. Incursionet e kolonëve, herë pas here të dhunshme, janë shtuar ndjeshëm pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, që nxiti luftën në Gaza.
Zona e Silwanit është veçanërisht e ndjeshme për shkak të afërsisë me Xhaminë Al-Aksa, një pikë e hershme dhe e vazhdueshme tensioni në konfliktin izraelito-palestinez.
Rajabi thotë se Ateret Cohanim i ka ofruar edhe një çek të bardhë për t’u larguar, por ai e ka refuzuar. “Nuk do t’u shisja asnjë grimcë dheu. Më thanë: ‘Vendos çfarëdo shume dhe ne do ta paguajmë’,” tha ai.
Sipas tij, disa banorë kanë shitur shtëpitë, por shumica e familjeve kanë refuzuar. Organizata e kolonëve pohon se u ka ofruar banorëve kompensim për t’u larguar, duke e cilësuar blerjen e pronave në Silwan si pjesë të një “ëndrre sioniste”.
Rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u bëjnë thirrje Izraelit të ndalë aktivitetin e vendbanimeve, por qeveritë izraelite kanë argumentuar se kolonitë janë thelbësore për sigurinë e vendit. Në rast refuzimi të urdhrave të dëbimit, policia e armatosur ndërhyn për të nxjerrë familjet dhe për të shembur banesat.
Rajabi thotë se me çmimet e larta të qirave në Jerusalem, ai nuk e di se ku do të shkojë me familjen e tij.
“Do të përfundojmë duke jetuar në rrugë,” u shpreh ai./mxh
