Last Updated on 22/11/2025 by EL
Argjinaturat mbrojtëse në Sarandë janë çarë gjatë natës si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe prurjeve të mëdha të ujit, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë në fshatrat Çukë, Konispol dhe Shalës.
Siç shihet edhe nga pamjet, fushat janë të gjitha nën ujë dhe rrezikohen shtëpitë, ndërkohë që dëmi në bujqësi e blegtori është shumë i madh.
Argjinaturat kanë çeduar duke u shkatërruar njëra pas tjetër dhe për pasojë përmbytjet e orëve të fundit kanë shkaktuar një situatë të pashembullt emergjence në jug të vendit. Zona të gjera nga Çuka e Sarandës, Metoqi dhe fushat e Konispolit janë kthyer në gjol.
Agjencia online e jugut “Saranda Web” njofton se argjinatura e Bistricës në Çukë është çarë gjatë natës, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë në blegtori. Më shumë se 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha janë mbytur, ndërsa stalla të tëra janë shkatërruar.
Edhe pamjet ajrore që ajo sjell, tregojnë përmasat e jashtëzakonshme të dëmit që është shkaktuar në këto zona.
Uji ka përfshirë me shpejtësi fermat dhe magazinat bujqësore, duke shkatërruar qindra tonë misër, ushqim për bagëti, lëndë ushqimore të depozituara dhe pajisje të fermave. Për shkak të prurjeve të mëdha, pesë banesa janë përmbytur, duke detyruar familjet të largohen përkohësisht.
Katër barinj u izoluan për orë të tëra brenda një stalle me dhjetëra dele, ndërsa vetëm ndërhyrja me vonesë e emergjencave civile shmangu humbjet njerëzore.
Për herë të parë pas shumë vitesh, forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile u angazhuan në një operacion të drejtpërdrejtë evakuimi të kafshëve të bllokuara. Ushtarët hynë në ujë deri në 1 metër lartësi, dhe me mjete të posaçme tërhoqën delet nga stalla e rrethuar nga uji.
Ndërkohë, një pulari në Çukë ka pësuar dëme të rënda, ku uji ka shkatërruar ushqimin e shpendëve, inkubatorë, pajisje elektrike dhe një pjesë të prodhimit.
“Saranda Web” raporton se situata është kritike edhe në Konispol, ku lumi Pavëll ka dalë nga shtrati pranë urës në Vilë, duke izoluar 6 fshatra të Njësisë Administrative Markat: Markat, Dishat, Ninat, Janjar, Shalës dhe Vërvë.
Rruga mbeti për disa orë e pakalueshme, ndërsa banorët thonë se mungesa e pastrimit të kanaleve dhe investimeve serioze në argjinatura ka sjellë përhapjen e ujit drejt zonave të banuara dhe fushave bujqësore.
Fushat e Konispolit, zona me prodhimin më të madh të mandarinave në Shqipëri, janë plotësisht të përmbytura. Parcela të tëra me mandarina në Çiflik, Shkallë, Musi, Xarrë dhe Vrinë ndodhen nën ujë në momentin e korrjes.
Fermerët paralajmërojnë se nëse uji qëndron edhe dy ditë, pemët do të humbasin prodhimin dhe mund të thahen edhe për vitet e ardhshme. Dëmet ekonomike në mandarina, perime dhe foragjere mund të shkojnë në miliona euro, duke goditur qindra familje që jetojnë vetëm nga bujqësia.
Në Bamatat të Delvinës, argjinatura është shembur vetëm pak ditë pasi u vizitua publikisht nga Ministri i Bujqësisë dhe deputetët Ardit Bido dhe Vasil Llajo, të cilët e prezantuan si një investim “strategjik” për mbrojtjen e fermerëve nga përmbytjet.
Pas shirave, strukturat e sapo ndërtuara nuk i rezistuan dot prurjeve të lumit. Banorët kërkojnë hetim të punimeve dhe ndëshkim për përgjegjësit, duke e cilësuar projektin si “punim të dobët dhe pa cilësi”./E.T
