Last Updated on 19/10/2026 by EL
Ukraina ka kryer atë që e quan evakuimi i parë në botë i një ushtari nga vija e frontit, duke përdorur një dron.
I rrethuar nga mina tokësore dhe nën kërcënimin e dronëve armiq, ushtari i plagosur nuk mund të shpëtohej përmes rrugëve tokësore.
Kështu, Brigada e 92-të e Sulmit vendosi të provojë diçka që, sipas tyre, nuk ishte bërë kurrë më parë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Dhe në pamjet mbresëlënëse të publikuara të hënën, një dron zbret mbi pozicionin e ushtarit dhe pozicionohet me kujdes pikërisht mbi të.
Ushtari – i identifikuar si pjesëtar i Brigadës së 30-të të Mekanizuar, i cili ishte plagosur në pozicionin e tij – shihet duke u lidhur në një pajisje mbajtëse (rripa sigurie) të krijuar posaçërisht për këtë qëllim.
Droni i përdorur raportohet të jetë një “heksakopter i rëndë”, i cili zakonisht shërben për hedhjen e bombave mbi pozicionet e armikut.
Pasi sigurohet mirë, droni ngrihet sërish në ajër, duke marrë me vete edhe ushtarin.
Më pas, pamjet tregojnë ushtarin duke u transportuar drejt një zone të sigurt, ndërsa droni fluturon mbi majat e pemëve dhe rrugët.
Brigada bën të ditur se operacioni ishte i suksesshëm; ushtari aktualisht po merr trajtim mjekësor dhe nuk është më në rrezik për jetën. /ET
