Këngëtari latin Ricky Martin përjetoi momente paniku gjatë koncertit të tij në Podgoricë të Malit të Zi, pasi një person nga publiku hodhi gaz lotsjellës drejt skenës në mes të performancës.
54-vjeçari po performonte në Independence Square, ku po hapte zyrtarisht turin europian të “Ricky Martin Live”, kur koncerti u ndërpre papritur për shkak të incidentit. Sipas raportimeve, publiku nisi të largohej me panik nga zona ndërsa ekipet e sigurisë dhe autoritetet lokale ndërhynë menjëherë.
Pas ngjarjes, zëdhënësja dhe shefja e marrëdhënieve me publikun të artistit, Róndine Alcalá, publikoi një deklaratë zyrtare për të sqaruar situatën.
“Gjatë koncertit të Ricky Martin në Mal të Zi, një individ hodhi gaz lotsjellës drejt skenës, duke shkaktuar ndërprerjen e menjëhershme të shfaqjes, ndërsa pjesëmarrësit u larguan dhe morën ndihmën e nevojshme,” thuhej në deklaratë.
Sipas ekipit të artistit, si masë sigurie, Ricky Martin dhe stafi i tij u larguan menjëherë nga skena, ndërsa autoritetet punuan për të vendosur situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë e të pranishmëve.
Megjithatë, pavarësisht këshillave të ekipit të tij për të mos vazhduar koncertin, këngëtari vendosi të rikthehej në skenë sapo autoritetet konfirmuan se gjithçka ishte e sigurt.
“Ricky Martin vendosi të vazhdonte koncertin për të respektuar fansat e tij,” shton deklarata.
Artisti latin pritet të vazhdojë normalisht turneun “Ricky Martin Live” me performanca të tjera në Europë dhe data ndërkombëtare të planifikuara në javët në vijim./mxh
