Papa Leoni u ka kërkuar katolikëve të mos i referohen më Marisë si një person që ndihmoi birin e saj, Jezusin, që të shpëtonte botën nga dënimi i përjetshëm, në një kohë kur është përhapur një adhurim i tepruar ndaj Zonjës së Bekuar, shpesh në rrjete sociale, që ka nxitur pretendime për shfaqje, madje dhe statuja që lotojnë apo edhe “profetë” të vetëshpallur.
Siç shkruan ”The Guardian” një dekret nga Vatikani, i miratuar nga Papa, deklaron se vetëm Jezusi e shpëtoi njerëzimin nga ferri dhe për këtë arsye katolikët nuk duhet ta quajnë Marinë “bashkë-shpëtimtare” apo “bashkë-shëlbuese” (term për dikë që merr pjesë, në një farë mënyre, në veprën e shpëtimit të njerëzimit së bashku me Jezus Krishtin), duke i dhënë fund një debati të gjatë mes teologëve të Kishës, që ka ndarë edhe papët.
Dekreti thekson se vetëm Jezusi e shpëtoi botën përmes vdekjes së tij duke u sakrifikuar në kryq dhe se, ndonëse Maria hapi rrugën për shpëtimin duke e lindur atë, ajo nuk ishte “bashkë-shpëtimtare”.
Papa Françesku i ndjerë ishte kategorikisht kundër për ta quajtur Marinë me këtë term, madje në vitin 2019 tha se ishte “marrëzi” sepse “ajo kurrë nuk donte të merrte asgjë për vete nga i biri”. Paraardhësi i tij, Benedikti XVI, gjithashtu e kishte kundërshtuar këtë ide.
Por nga ana tjetër, Papa Gjon Pali II, që shërbeu nga viti 1978 deri në vdekjen e tij në 2005, ishte mbështetës i këtij titulli për Marinë, por ndaloi përdorimin publik të tij në mesin e viteve 1990 për shkak të skepticizmit në rritje.
Sipas dekretit, ky titull “krijon konfuzion dhe një çekuilibër në harmoninë e të vërtetave të fesë së krishterë” dhe “mbart rrezikun e errësimit të rolit ekskluziv të Jezu Krishtit”.
Kardinali Víctor Manuel Fernández, prefekti i zyrës doktrinore të Vatikanit, shkroi në parathënien e dekretit se ky ishte një reagim ndaj pyetjeve të viteve të fundit mbi përkushtimin ndaj Marisë dhe për të sqaruar çfarë është e pranueshme.
Iacopo Scaramuzzi, korrespondent i Vatikanit për gazetën La Repubblica, tha se dekreti është një mënyrë për të frenuar “kultin e Zojës”. “Vatikani po ndërhyn ndaj një përkushtimi që po përhapet në rrjetet sociale dhe që është veçanërisht i përqafuar nga katolikët konservatorë,” tha ai.
Vitin e kaluar, Vatikani forcoi rregullat për fenomenet mbinatyrore si shfaqjet e Zojës së Bekuar, në përpjekje për të luftuar mashtrimet dhe gënjeshtrat që janë shtuar në epokën e rrjeteve sociale.
Papa Françesku paralajmëroi në vitin 2023 se shfaqjet e Marisë “nuk janë gjithmonë të vërteta”, në atë që besohet se ishte një referencë indirekte ndaj një gruaje që mblodhi mijëra pelegrinë në një qytet pranë Romës për t’u lutur para një statuje që ajo pretendonte se kishte derdhur lot gjaku. “Kur përkushtimi ndaj Marisë bëhet shumë i përqendruar në vetvete, nuk është i mirë,” tha Françesku.
Eksperti i Vatikanit me bazë në Romë, Robert Mickens, tha se ky vendim i fundit do t’i kënaqë katolikët progresistë. “Maria konsiderohet si krijesa më e lartësuar njerëzore, por ajo nuk është gjysmë-hyjnore,” tha ai./ K.M
