Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Papa Leo XIV pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një nyjëze të zbuluar në mushkëri gjatë një kontrolli shëndetësor. Sipas informacionit të bërë publik, formacioni është identifikuar në një fazë të hershme dhe mjekët kanë rekomanduar ndërhyrjen.
Lajmi ka rikthyer vëmendjen te nyjëzat pulmonare, formacionet e vogla që mund të shfaqen në indin e mushkërive dhe që shpesh zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve mjekësore. Por sa shqetësuese janë ato dhe a tregojnë domosdoshmërisht praninë e kancerit?
Ekspertët theksojnë se përgjigjja nuk është gjithmonë alarmuese: shumica dërrmuese e nyjëzave pulmonare janë beninje dhe vetëm një pjesë e vogël lidhet me kancerin.
Çfarë janë nyjëzat pulmonare?
Nyjëzat pulmonare janë formacione të vogla në indin e mushkërive, me diametër deri në 3 centimetra. Ato mund të kenë formë të rrumbullakët ose konture të parregullta. Formacionet që tejkalojnë këtë madhësi klasifikohen si masa pulmonare.
Zakonisht, ato identifikohen përmes radiografisë së kraharorit ose skanerit CT, edhe kur pacienti nuk ka simptoma që lidhen drejtpërdrejt me mushkëritë.
Në një artikull të publikuar nga “The Conversation”, studiuesit Sarah Diepstraten dhe John (Eddie) La Marca, nga Instituti i Kërkimeve Mjekësore Walter dhe Eliza Hall (WEHI), shpjegojnë se këto formacione janë më të zakonshme nga sa mund të mendohet.
Të dhënat e një studimi në Holandë, ku morën pjesë 10,431 persona që nuk kishin pirë kurrë duhan ose e kishin lënë atë, treguan se të paktën një nyjëz pulmonare u gjet te 37.7% e grave dhe 47.5% e burrave. Në SHBA, nyjëza të tilla janë evidentuar në rreth 31% të skanimeve CT të kraharorit.
Përhapja e përdorimit të teknologjive moderne të imazherisë bën që këto formacione të zbulohen gjithnjë e më shpesh, përfshirë edhe te personat që nuk kanë probleme të dukshme shëndetësore.
A janë nyjëzat pulmonare shenjë e kancerit?
Jo domosdoshmërisht. Sipas të dhënave të paraqitura nga studiuesit, rreth 95% e nyjëzave pulmonare janë beninje. Ato mund të formohen si pasojë e infeksioneve të mëparshme, proceseve inflamatore, sëmundjeve të sistemit imunitar apo faktorëve të tjerë.
Vetëm një përqindje e vogël, e vlerësuar në rreth 3.7% deri në 5.5% në studimet e cituara, mund të përfaqësojë kancer të mushkërive në fazë të hershme.
Për të vlerësuar rrezikun, mjekët marrin parasysh disa elemente, mes tyre:
Moshën e pacientit: rreziku i kancerit rritet përgjithësisht me kalimin e viteve.
Historinë e duhanpirjes: duhanpirja është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për kancerin e mushkërive.
Historinë familjare: rastet e kancerit të mushkërive te familjarët mund të ndikojnë në vlerësimin e rrezikut.
Ekspozimin ndaj substancave të rrezikshme: ndër to përfshihet edhe asbesti.
Karakteristikat e nyjëzës: madhësia, dendësia, vendndodhja dhe ndryshimet e saj me kalimin e kohës janë veçanërisht të rëndësishme.
Si përcaktohet nëse një nyjëz është beninje apo malinje?
Zbulimi i një formacioni nuk mjafton për të vendosur një diagnozë. Mjekët analizojnë imazhet e skanerit dhe, kur është e mundur, i krahasojnë ato me ekzaminimet e mëparshme për të parë nëse nyjëza është rritur apo ka ndryshuar pamje.
Në varësi të rastit, mund të rekomandohet monitorim periodik, ekzaminime të tjera ose biopsi, përmes së cilës merret një mostër indi për analizë. Në situata të caktuara, heqja kirurgjikale mund të jetë alternativa më e përshtatshme.
Ndërhyrja mund të kryhet me kirurgji tradicionale ose me teknika minimalisht invazive, që përdorin prerje të vogla dhe instrumente të posaçme. Në raste të përzgjedhura mund të përdoret edhe kirurgjia robotike.
Nëse analiza e indit konfirmon praninë e kancerit, trajtimi i mëtejshëm përcaktohet në bazë të llojit të tumorit, fazës së sëmundjes dhe gjendjes së përgjithshme të pacientit.
Për pacientët me kancer të mushkërive jo me qeliza të vogla në fazë të hershme, studimet e përmendura nga ekspertët raportojnë se rreziku i përsëritjes pas operacionit ishte 6–10% gjatë katër viteve të para, përpara se të zbriste në rreth 2% në vit. Këto shifra lidhen me grupe të caktuara pacientësh dhe nuk mund të zbatohen në mënyrë të njëjtë për çdo rast.
Çfarë dihet për gjendjen e Papa Leo XIV?
Në rastin e Papa Leo XIV, fakti që nyjëza është zbuluar në mushkëri dhe se është rekomanduar heqja e saj nuk mjafton për të përcaktuar nëse formacioni është beninj apo malinj.
Për këtë arsye, është e rëndësishme të mos nxirren përfundime për praninë e kancerit pa rezultatet përkatëse mjekësore. Vlerësimi përfundimtar varet nga karakteristikat e nyjëzës dhe analizat që mund të kryhen pas heqjes së saj.
Rasti rikthen në vëmendje rëndësinë e kontrolleve shëndetësore dhe të zbulimit të hershëm të ndryshimeve në mushkëri. Megjithatë, një nyjëz pulmonare nuk është automatikisht sinonim i kancerit dhe natyra e saj mund të përcaktohet vetëm përmes vlerësimit të duhur mjekësor./mxh
