Një udhëtim i zakonshëm me metro është kthyer në një moment të veçantë për disa pasagjerë në Londër, të cilët kanë pasur mundësinë të shohin nga afër Kate Middleton dhe vajzën e saj, Princeshën Charlotte.
Princesha e Uellsit dhe e bija 11-vjeçare janë fotografuar dhe filmuar teksa udhëtonin në linjën “Elizabeth”, duke qëndruar ulur pranë njëra-tjetrës, mes qytetarëve të tjerë. Pamjet e këtij momenti tërhoqën vëmendjen për shkak të natyrës së pazakontë të një daljeje të tillë për një anëtare të familjes mbretërore britanike.
Sipas ABC-së, Kate dhe Charlotte zbritën në stacionin “Tottenham Court Road”, në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit britanik, e njohur për dyqanet, teatrot dhe institucionet kulturore.
Linja ku udhëtuan mban emrin e Mbretëreshës Elizabeth II, stërgjyshes së vogëlushes Charlotte. Megjithatë, këtë herë vëmendjen nuk e mori historia e linjës së metrosë, por fakti që nënë e bijë u shfaqën në një ambient publik, larg ceremonive dhe angazhimeve zyrtare që zakonisht shoqërojnë jetën e tyre.
Sipas raportimeve, bëhej fjalë për një moment privat familjar. Pallati i Kensingtonit nuk ka dhënë një koment për këtë dalje.
Udhëtimi me metro erdhi një ditë pas vizitës së Kate në Irlandën e Veriut, ku ajo kishte qenë së bashku me bashkëshortin e saj, Princin William.
Edhe pse një veprim i thjeshtë në jetën e përditshme, shfaqja e tyre në transportin publik u kthye në një moment që tërhoqi interesin e publikut, duke treguar një anë më të zakonshme të jetës së familjes mbretërore britanike./mxh
