Papa Leoni XIV ka mbërritur në aeroportin e Parisit, në kuadër të vizitës së tij apostolike në Francë.
Në aeroport, kreu i Kishës Katolike u prit nga presidenti francez Emmanuel Macron, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Brigitte.
Dy fëmijë i dhuruan lule Papës, ndërsa ceremonia e pritjes vijoi me ekzekutimin e himneve kombëtare, nderimet ushtarake dhe prezantimin e delegacioneve.
Më pas, Leoni XIV dhe Macron zhvilluan një takim të shkurtër privat përpara se të drejtoheshin drejt Pallatit Élysée.
Mbërritja e Papës u shoqërua edhe me një moment simbolik në të gjithë Francën, ku kambanat e kishave nisën të binin për shtatë minuta për të shënuar vizitën e tij. Bëhet fjalë për vizitën e parë apostolike të një pape në Francë pas 18 vitesh.
Gjatë fluturimit drejt Parisit, Leoni XIV u takua me rreth 80 gazetarë nga vende të ndryshme të botës që po e shoqërojnë në udhëtimin e tij.
I pyetur edhe për çështjen e lirisë së medias, Papa tha se të gjithë janë të mirëpritur dhe theksoi rëndësinë e një mbulimi të mirë informativ.
“Faleminderit që na pritët në bordin e avionit. Doja vetëm t’ju pyesja nëse dëshironi t’u drejtoni disa fjalë kolegëve tanë të CNN-it, të cilët po përballen me vështirësi me Shtëpinë e Bardhë”, i tha Papës korrespondenti i CNN-it, Christopher Lamb.
“Jam shumë i lumtur që jeni këtu, jeni të gjithë të mirëpritur”, tha ai, duke i buzëqeshur qetësisht të dërguarit të CNN.
Papa Leoni XIV foli gjithashtu për krizën humanitare në Ceuta, duke thënë se e kishte ndjekur situatën që nga fillimi. Sipas tij, kriza ka disa shkaqe dhe kërkon përpjekje për të shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme.
Në qendër të vizitës së tij është edhe mesazhi për paqen. Gjatë udhëtimit, Papa deklaroi se shkon në Francë, ashtu si edhe në pjesë të tjera të botës, si ndjekës i Jezu Krishtit dhe me dëshirën për të përcjellë paqen e Krishtit.
Vizita zhvillohet nën masa të forta sigurie. Ministri francez i Brendshëm Laurent Nuñez bëri të ditur se rreth 14 mijë forca policore do të angazhohen në Paris gjatë ditës së parë dhe 12 mijë gjatë ditës së dytë. Forca të shumta sigurie do të jenë të pranishme edhe në Lourdes dhe Metz, ku Papa do të vijojë vizitën.
Autoritetet franceze kanë deklaruar se nuk ka ndonjë kërcënim specifik ndaj Papës apo aktivitetit, por kanë rikujtuar se Franca vijon të jetë në një nivel shumë të lartë të kërcënimit terrorist.
Gjatë qëndrimit në Paris, Leoni XIV foli edhe për inteligjencën artificiale, duke shpjeguar se vendosi t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje që në enciklikën e tij të parë, me synimin që njeriu të mbetet në qendër të debatit mbi zhvillimin teknologjik.
Papa u ndal gjithashtu te situata në Lindjen e Mesme. Ai tha se vuajtjet e popullsisë nuk mund të injorohen dhe bëri thirrje për një reflektim më të thellë mbi dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe nevojën për ndryshim të qëndrimeve përballë krizave humanitare./mxh
