Last Updated on 04/12/2024 by adminfjala
Qeveria ka rritur në 20 mijë lekë në muaj masën financiare për paketën higjeno-sanitare për para dhe tetraplegjikët.
Lajmi u bë me dije nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Në deklaratën për mediat, ministrja Koçiu sqaroi se për këtë target grup u vendos që të rishikohet masa e ndihmës së ofruar për mbulimin e shpenzimeve për përballimin e paketës së domosdoshme me materiale të veçanta higjieno-sanitare.
“Në vazhdën e mbështetjes dhe të solidaritetit jo vetëm me personat me aftësi të kufizuar, por me të gjithë ato shtresa në nevojë për të cilët duhet mbështetje e vazhdueshme me shërbime sociale shëndetësore dhe me mbështetje financiare, qeveria ka vendosur sot që të rrisë masën e mbulimit për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjikë”, u shpreh Koçiu.
Ministrja tha se mbështetje qeveria do të japë edhe për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar, të clëve do tu paguhen sigurimet shoqërore.
“Janë plot 18 mijë kujdestarë personal për të cilët MSHMS është duke punuar për të lancuar figurat e reja profesionale. Figura e ndihmësit personal apo e kujdestarit personal është një figurë të cilën së bashku me asistencën dhe projektet e BE jemi duke punuar për ta lancuar si një figurë profesionale e cila përveç aftësimit, trajtimit, do duhet të mbështeten financiarisht për pagën dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”, tha ajo.
Sa i takon mungesës së medikamenteve për personat me sëmundje tumorale, Kociu tha se janë bërë marrëveshjet për furnizimin me barnat e nevojshme.
‘QSUNT ka marrë gjithë mbështetjen e nevojshme për ta pajisur spitalin me barnat e nevojshme. Furnizimi me barna është një nga proceset më komplekse. Tani që flasim janë nënshkruar marrëveshjet për furnizimin periodik dhe nuk pritet të ketë mungesa’, tha ajo.