Përpara se të bëhej mbreti i ardhshëm i Britanisë, Princi William kishte menduar për disa profesione që nuk kanë shumë lidhje me jetën mbretërore. Nga dëshira për t’u bërë polic, te ëndrra për të qenë DJ, princi ka zbuluar disa detaje të panjohura nga rinia e tij gjatë një interviste në emisionin “The Graham Norton Show”.
William tregoi se kishte kaluar një periudhë kur dëshironte të bëhej DJ, madje kishte zgjedhur edhe një emër artistik. “Kalova një fazë kur doja të bëhesha DJ, gjë që nuk shkoi shumë mirë. Gjeta edhe një emër. Quhesha ‘DJ Xara’, me X në fillim. Nuk ishte mirë”, rrëfeu ai, duke shkaktuar të qeshura në studio.
Kur u pyet nëse kishte performuar ndonjëherë në aktivitetet shkollore, princi pranoi se nuk kishte arritur as në atë nivel. Por muzika nuk ishte e vetmja ëndërr e tij. “Doja të bëhesha polic kur isha më i vogël. Mendoja se mund të isha një polic i mirë. Më dukej një profesion mjaft interesant”, tregoi ai.
Gjatë intervistës, William ndau edhe një histori humoristike nga një vizitë në Somerset, ku një burrë e kishte ngatërruar me këngëtarin e ndjerë Prince. “Një zotëri shumë i këndshëm më pa nga vendi ku ishte ulur dhe më pyeti: ‘Kur do të këndosh?’”, kujtoi ai.
Burri vazhdoi të këmbëngulte, derisa një grua që ndodhej pas tij ndërhyri për t’i shpjeguar se William nuk ishte ai Prince që po mendonte. Në fakt, ai shpresonte të dëgjonte këngën e famshme “Purple Rain”. “Doli që donte të këndoja ‘Purple Rain’, por nuk i di tekstet”, tha princi me humor. Këngëtari Prince ndërroi jetë në vitin 2016.
Pjesa tjetër e bisedës iu kushtua Earthshot Prize, nismës mjedisore të William, e cila synon të mbështesë zgjidhje inovative për krizën klimatike. Ai shpjegoi se ideja lindi nga dëshira për t’i dhënë më shumë optimizëm diskutimeve mbi të ardhmen e planetit. Edicioni i ardhshëm i çmimeve pritet të mbahet në Mumbai të Indisë, në nëntor, ku do të ndahen 5 milionë paund për projektet fituese.
Princi tregoi gjithashtu se ndjek serialin “Ted Lasso” dhe programin “The Celebrity Traitors”. Madje, pranoi se ishte përpjekur të mësonte rezultatin e këtij të fundit nga Ross Kemp, një prej pjesëmarrësve, por pa sukses. Përtej angazhimeve mbretërore, William zbuloi edhe një tjetër pasion të tij: është tifoz i Aston Villa-s dhe ndjek forumet e tifozëve të skuadrës./mxh
