Last Updated on 16/07/2026 by EL
Historia e Uliksit njihet si një nga udhëtimet më të gjata dhe më të vështira të mitologjisë greke. Por, ndryshe nga sa mendojnë shumë, heroi nuk e kaloi pjesën më të madhe të atyre dhjetë viteve duke lundruar. Përkundrazi, sipas Odisesë së Homerit, më pak se dy vite i kaloi në det, ndërsa mbi tetë vite i kaloi në shoqërinë e dy perëndeshave, Circes dhe Kalipsos.
Ky detaj rikthehet në vëmendje edhe me filmin e ri Odisea të regjisorit Christopher Nolan, ku rolet e Circes dhe Kalipsos interpretohen nga Samantha Morton dhe Charlize Theron.
Pas shkatërrimit të flotës së tij nga Lestrigonët, Uliksi mbërriti në ishullin e Circes me vetëm një anije dhe 46 shokë. Fillimisht, magjistarja i priti me mikpritje, por më pas i shndërroi njerëzit e tij në derra përmes një magjie. Vetëm Uliksi i shpëtoi këtij fati, falë ndihmës së Hermesit. Më pas ai arriti ta fitonte besimin e Circes dhe qëndroi me të për një vit. Gjatë kësaj kohe, ajo i ktheu shokët në formën njerëzore dhe e udhëzoi për rrugën që duhej të ndiqte drejt Itakës.
Edhe më i gjatë ishte qëndrimi me Kalipson. Nimfa, e dashuruar pas Uliksit, e mbajti atë për më shumë se shtatë vite në ishullin Ogjigia, duke i ofruar madje edhe pavdekësinë. Megjithatë, sipas poemës, heroi nuk reshti kurrë së menduari për Itakën dhe gruan e tij, Penelopën, duke kaluar orë të tëra në breg të detit duke vajtuar për kthimin në shtëpi.
Kjo krijon një nga paradokset më të njohura të personazhit: ndërsa Penelopa i qëndroi besnike për dhjetë vite, pavarësisht presionit të 108 pretendentëve që kërkonin ta merrnin për grua, Uliksi pati marrëdhënie me dy perëndesha gjatë udhëtimit të tij.
Edhe pse vonesat në kthimin e tij lidhen me zemërimin e Poseidonit, pas verbimit të Ciklopit Polifem, vetë rrëfimi i Homerit tregon se një pjesë e madhe e kohës u zgjat edhe për shkak të qëndrimit të gjatë të heroit me Circen dhe Kalipson.
