Emisioni “Opinion” këtë të hënë, 12 janar, u ndal pikërisht tek situata e motit të keq që përfshiu Shqipërinë, ku shkaktoi përmbytje të qindra banesave në shumë qarqe të vendit dhe dëme të mëdha në toka bujqësore, bagëti dhe biznese.
Eksperti mjedisor Mihallaq Qirjo paralajmëroi se ndryshimet klimatike dhe rritja e temperaturave mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve, veçanërisht në zonat bregdetare të Adriatikut, si Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Seman.
“Ndryshimet e regjimit të reshjeve, ndryshimet e shkarkimit të lumenjve gjithashtu, sepse shumicën e lumenjve e kemi me diga tani. Nga hartat që Banka Botërore ka në një platformë, ti e shikon me kuriozitet, por edhe me një lloj frike se cilat do të ishin zonat që do të përmbyteshin në skenar nëse temperaturat do të rriteshin me 3, 5 apo 8 gradë. Kemi zona në të gjithë bregdetin Adriatik, sepse atje është problemi më i madh, në Vlorë, Seman, Durrës dhe Lezhë. E gjithë kjo zonë rrezikon nga rritja e nivelit të detit, që mund të jetë 20 centimetra deri në gjysmë metri. Këto janë skenarë të projektimit se çfarë do të ndodhë me nivelin e detit, nëse temperaturat do të rriteshin. Zona e Adriatikut është zona më e rrezikuar, sepse është zona më e ulët, sepse ne kemi shumë nga lagunat tona që kanë një dinamikë të bregdetit shumë të fuqishme”, tha eksperti./kb
