Më 13 janar 1128, Papa Honorius II firmosi një dekret papnor që do të shënonte një kthesë të rëndësishme në historinë e Kryqëzatave dhe të Kishës Katolike: njohjen zyrtare të Urdhrit të Kalorësve Templarë si një institucion fetar-ushtarak në shërbim të Perëndisë. Me këtë akt, Templarët nuk ishin më thjesht një grup kalorësish të devotshëm, por një ushtri e shenjtë, e vendosur drejtpërdrejt nën autoritetin e Papës.
Urdhri ishte themeluar rreth vitit 1118 nga kalorësi francez Hugues de Payens, së bashku me tetë bashkëluftëtarë të tjerë. Selia e tyre fillestare ndodhej në Jeruzalem, pranë vendit ku besohej se kishte qenë Tempulli i Solomonit, prej nga vjen edhe emri i plotë: Urdhri i Varfër i Kalorësve të Krishtit dhe të Tempullit të Solomonit. Misioni i tyre ishte i qartë dhe i rrezikshëm: mbrojtja e pelegrinëve të krishterë që udhëtonin drejt Tokës së Shenjtë, në një periudhë kur rrugët ishin të mbushura me grabitës, banda të armatosura dhe konflikte të vazhdueshme mes kryqtarëve dhe forcave myslimane.
Për vite me radhë, Urdhri mbeti i vogël, me vetëm nëntë anëtarë, kryesisht për shkak të rregullave tepër të rrepta. Kalorësit duhej të vinin nga familje fisnike, të betoheshin për varfëri, bindje dhe pastërti morale, të jetonin në disiplinë asketike dhe t’i nënshtroheshin një kodi të hekurt sjelljeje. Ata nuk ishin thjesht luftëtarë, por murgj me shpatë, një figurë e re në historinë e krishterimit perëndimor.
Situata ndryshoi në vitin 1127, kur Hugues de Payens ndërmori një fushatë promovuese në Evropë, duke kërkuar mbështetjen e fisnikërisë dhe të Kishës. Mbështetja e figurave të fuqishme kishtare, veçanërisht e Shën Bernardit të Clairvaux-së, i dha Urdhrit legjitimitet moral dhe politik. Njohja papnore e vitit 1128 i hapi rrugën një rritjeje të shpejtë: dhurime tokash, pasurish, kështjellash dhe privilegjesh ligjore e fiskale e shndërruan Urdhrin në një nga institucionet më të fuqishme të Mesjetës.
Me kalimin e kohës, Kalorësit Templarë ndërtuan një rrjet të gjerë fortesash në Tokën e Shenjtë dhe në Evropë, zhvilluan sisteme financiare të avancuara — që disa i konsiderojnë pararendëse të bankave moderne — dhe fituan një ndikim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe politik. Por fuqia dhe pasuria e tyre, sidomos pas dështimit përfundimtar të Kryqëzatave në fillim të shekullit XIV, u kthyen në burim xhelozie dhe frike për sundimtarët laikë dhe autoritetet kishtare.
Në vitin 1307, Mbreti Filipi IV i Francës, i zhytur në borxhe të mëdha ndaj Templarëve, u bashkua me Papa Klementin V për të goditur Urdhrin. Mjeshtri i Madh, Jacques de Molay, dhe dhjetëra kalorës të tjerë u arrestuan me akuza të rënda për herezi, sakrilegj dhe adhurim satanik. Nën tortura çnjerëzore, shumë prej tyre u detyruan të rrëfenin krime që më vonë i mohuan. Në fund, Jacques de Molay u dogj i gjallë në Paris, duke u kthyer në një simbol tragjik të rënies së Urdhrit.
Në vitin 1312, Papa Klementi V shpërndau zyrtarisht Urdhrin e Kalorësve Templarë. Shekuj më vonë, Kisha Katolike ka pranuar se procesi ndaj Templarëve ishte i padrejtë dhe se Papa veproi nën presionin e pushtetit mbretëror francez.
Megjithatë, historia e Templarëve nuk përfundoi me shuarjen e Urdhrit. Përgjatë shekujve, rreth tyre janë thurur mite dhe legjenda të panumërta: se kishin zbuluar relike të shenjta në Malin e Tempullit, si Kupa e Shenjtë, Arka e Besëlidhjes apo fragmente të kryqit të Krishtit; se kishin ruajtur sekrete të errëta teologjike apo njohuri të ndaluara. Këto tregime, mes historisë dhe fantazisë, kanë ushqyer letërsinë dhe kinemanë moderne, duke përfshirë romane dhe filma të famshëm si “Kodi i Da Vinçit”, dhe e kanë shndërruar Urdhrin e Kalorësve Templarë në një nga mitet më të qëndrueshme të qytetërimit perëndimor.
Përgatiti: L.Veizi
