Last Updated on 13/08/2026 by Anisa
Policia e Divjakës mori njoftim se, në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta.
Gjatë kryerjes së veprimeve për dokumentimin e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, shtetasi O. L., disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste shtetasin Sh. Xh.
Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen.
Në vijim të veprimeve operacionale dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve bënë arrestimin e shtetasve:
– O. L., 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.
Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje.
– K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri.
Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë.
– S. D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin shtetasi O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh.
– S. A., 30 vjeç, i cili ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S.
– Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi.
– Sh. Xh., 51 vjeç, për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.
Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./ad
