Një fytyrë e shfaqur pas Donald Trumpit gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë mjaftoi për të nxitur kureshtjen e përdoruesve në rrjetet sociale. Pyetja që qarkulloi ishte e thjeshtë: kush është gruaja që u shfaq pas presidentit amerikan?
Bëhet fjalë për Jayme Franklin, themeluese dhe drejtoreshë e The Conservateur, një platformë konservatore që fokusohet te politika, kultura, feja, moda, bukuria dhe përditshmëria, me një audiencë të orientuar veçanërisht drejt grave të reja konservatore të krishtera.
Franklin nuk është një emër i panjohur në qarqet republikane amerikane. Ajo ka punuar në Senatin amerikan, në fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2020 dhe më pas në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ka pasur edhe angazhime në Fox News.
Në vitin 2025, ajo nisi podcastin Sincerely American së bashku me ish-pjesëtaren e administratës Trump, Camryn Kinsey. Dyshja trajton tema që variojnë nga politika dhe kultura popullore te rrjetet sociale dhe moda, gjithmonë nga një këndvështrim konservator.
Franklin ishte e pranishme në Zyrën Ovale gjatë njoftimit të Trumpit për ndryshimet në rekomandimet federale për vaksinimin e fëmijëve. Pas paraqitjes, ajo reagoi në X, duke thënë se ishte e nderuar të ishte pjesë e takimit me presidentin.
Sot, Franklin jeton në Washington me bashkëshortin e saj, Drake, dhe vajzën e tyre, Vivienne.
Një paraqitje e shkurtër në sfond të një deklarate presidenciale e bëri, për pak orë, subjektin e një prej pyetjeve më të kërkuara në rrjet: “Kush është ajo?”/kb
