Penélope Cruz dhe Javier Bardem kanë bërë një nga paraqitjet e tyre të rralla publike si çift, duke tërhequr vëmendjen gjatë Festivalit të Filmit në Venecia.
Çifti spanjoll u fotografua të hënën teksa shëtiste dorë për dore në rrugët e qytetit italian, duke dhënë edhe një herë imazhin e një çifti të dashuruar, pavarësisht se prej vitesh kanë zgjedhur ta mbajnë jetën private larg vëmendjes së medias.
Penélope Cruz shkëlqeu me një fustan të zi midi, me prerje elegante dhe dekolte të theksuar. Ajo e kombinoi veshjen me këpucë të zeza slingback, një çantë Chanel, vathë të zinj dhe syze dielli. Aktorja kishte stiluar flokët e saj brune në një bob elegant deri te shpatullat, ndërsa look-un e kompletoi me buzë në nuancë rozë nude.
Në krah të saj, Javier Bardem zgjodhi një pamje më të relaksuar, me pantallona blu, këmishë bojëqielli, atlete të bardha dhe syze dielli.
Çifti ndodhet në Venecia për të promovuar filmin e tyre të ri, Bunker, ku interpretojnë një çift bashkëshortësh. Paraqitja e tyre së bashku ishte veçanërisht e veçantë, pasi Penélope dhe Javier kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm për të ndarë jetën profesionale nga ajo personale.
Penélope Cruz dhe Javier Bardem u takuan për herë të parë në vitin 1992, gjatë xhirimeve të filmit Jamón Jamón. Megjithatë, lidhja e tyre romantike nisi shumë vite më vonë, pasi të dy luajtën së bashku në filmin Vicky Cristina Barcelona në vitin 2008.
Dyshja u martua në vitin 2010 dhe më pas u bënë prindër të dy fëmijëve, Leo, i lindur në vitin 2011, dhe Luna, e lindur në vitin 2013.
Aktorja ka folur më herët për vendimin e tyre për të mos punuar shumë shpesh së bashku, pikërisht për të mbrojtur marrëdhënien nga presioni që mund të sjellë puna e përbashkët.
“Është diçka që nuk duam ta bëjmë aq shpesh, pjesërisht edhe nga dëshira për të mbrojtur atë që kemi”, ka rrëfyer ajo.
Sipas Cruz, edhe pse puna krah partnerit mund të jetë më e lehtë sepse njihen mirë me njëri-tjetrin, ideja për të bashkëpunuar çdo vit do të ishte “shumë e frikshme”.
Javier Bardem: Penélope është një qenie njerëzore e mrekullueshme
Edhe Javier Bardem ka treguar se çifti përpiqet të mos e marrë punën me vete në shtëpi.
“Në shtëpi nuk flasim shumë për punën. Nuk kemi postera apo fotografi, apo ndonjë gjë tjetër që na kujton atë që bëjmë për të jetuar”, është shprehur aktori.
Bardem ka theksuar se përpiqen të ndajnë jetën reale nga ajo që interpretojnë në ekran.
Duke folur për bashkëshorten e tij, aktori nuk i ka kursyer komplimentet, duke thënë se ndihet jashtëzakonisht me fat që ka një partnere si Penélope.
“Është e rëndësishme ta respektosh dhe ta mbështesësh partnerin, por edhe ta admirosh atë për atë që është dhe për atë që bën”, ka thënë ai.
Bardem e ka përshkruar Cruz si një “qenie njerëzore të mrekullueshme, të bukur dhe të mirë”, duke vlerësuar mënyrën se si ajo sillet me familjen, miqtë, fëmijët dhe me të.
Por komplimenti më i drejtpërdrejtë i tij ishte për bukurinë e aktores. “Përveç kësaj, ajo është jashtëzakonisht e bukur!”, është shprehur Bardem, duke treguar se edhe pas kaq shumë vitesh martesë vazhdon ta shohë bashkëshorten e tij me të njëjtin admirim./mxh
