Një histori suksesi vjen nga Shërbimi i Oftalmologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku një pacient 68-vjeçar, i cili ndodhej në gjendje verbërie, ka rifituar shikimin falë një ndërhyrjeje të specializuar të realizuar me sukses nga ekipi mjekësor.
Ndërhyrja u krye nën drejtimin e dr. Ermal Simaku, me angazhimin e një ekipi të specializuar oftalmologësh, duke i rikthyer pacientit një nga shqisat më të rëndësishme dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së tij.
Ky rast është një tjetër dëshmi e nivelit të lartë profesional të Shërbimit të Oftalmologjisë në QSUT, ku diagnostikimi i hershëm, teknologjia moderne dhe ekspertiza e mjekëve po bëjnë të mundur trajtimin me sukses të patologjive komplekse të syrit.
Nga trajtimi i glaukomës deri te kirurgjia moderne vitreoretinale, investimet në pajisje bashkëkohore dhe përkushtimi i stafit mjekësor po u ofrojnë pacientëve kujdes të avancuar, ndërhyrje të sigurta dhe rezultate gjithnjë e më të mira.
Ky sukses përfaqëson jo vetëm një arritje profesionale për ekipin e QSUT-së, por edhe një mesazh shprese për pacientët që përballen me sëmundje të rënda të shikimit, duke dëshmuar se mjekësia shqiptare vazhdon të avancojë dhe të sjellë histori frymëzuese suksesi./ad
