Steven Spielberg ka hedhur një ide për projektin e ardhshëm të Christopher Nolan-it, duke e nxitur regjisorin të sjellë në ekran edhe një tjetër kryevepër të Homerit, pas filmit “Odisea”. Bëhet fjalë për “Iliadën”, një projekt që Nolan ka qenë shumë pranë realizimit rreth dy dekada më parë.
Dy regjisorët u shfaqën së bashku javën e kaluar në një takim me publikun, të mbajtur në teatrin e Directors Guild of America (DGA) në Los Anxhelos, në kuadër të një serie shfaqjesh të organizuara nga Universal Pictures.
Gjatë diskutimit, Spielberg e ngacmoi Nolan-in duke i sugjeruar që pas “Odisesë” të rikthehet te bota e miteve greke dhe të realizojë edhe “Iliadën”.
“E vetmja gjë tjetër që dua të them, jo për të të sfiduar apo diçka të tillë, është se ekziston gjithmonë edhe ‘Iliada’… Pa presion, pa presion. Por ky mund të ishte filmi më i suksesshëm në histori që nuk ka pasur kurrë një vazhdim”, u shpreh Spielberg.
Nolan iu përgjigj me humor: “Mendoj se tani po bën argumente në favor të Universal-it”.
Interesi i Spielberg për këtë projekt nuk është i rastësishëm. Rreth 20 vite më parë, Nolan ishte shumë pranë marrjes së drejtimit të filmit “Troja”, epikut të vitit 2004, i frymëzuar nga “Iliada”, ku luanin Brad Pitt, Eric Bana dhe Orlando Bloom.
Regjisori i “Oppenheimer” konsiderohej atëherë si kandidati kryesor për të drejtuar filmin, i cili ishte në fazë zhvillimi nën drejtimin e kolegut të tij, Wolfgang Petersen.
Megjithatë, Petersen u tërhoq për shkak të angazhimit në një projekt për filmin “Batman v Superman”, i cili nuk u realizua kurrë. Në vend të tij u përzgjodh Nolan, por Petersen më vonë u rikthye në projekt, pasi nuk kishte më angazhime të tjera profesionale. Kështu, Nolan mbeti jashtë realizimit të filmit./mxh
