Last Updated on 26/02/2026 by Monika
Një shkëmbim i parë i të burgosurve është realizuar këtë të enjte në jug të Syrias, mes qeverisë siriane dhe fraksioneve druze që kontrollojnë qytetin e Sweidas. Lajmi u konfirmua nga zyra mediatike e qeverisë për rajonin e Sweidës.
Shkëmbimi vjen pas përleshjeve të përgjakshme sektare që shpërthyen verën e kaluar, ku brenda pak ditësh u vranë qindra persona, përpara se një armëpushim gjithëpërfshirës të ndalte dhunën. Provinca e Sweidës, e banuar kryesisht nga komuniteti druz – një degë e largët e Islamit – vazhdon të mbetet jashtë kontrollit të plotë të autoriteteve qendrore.
Sipas njoftimit zyrtar, Damasku liroi 61 të burgosur të lidhur me fraksionet druze, të cilët mbaheshin në burgun qendror të Adrës, pranë kryeqytetit. Në këmbim, forcat e ashtuquajtura “Garda Kombëtare Druze” liruan 25 pjesëtarë të forcave qeveritare siriane.
Operacioni u ndërmjetësua dhe u realizua me mbështetjen e International Committee of the Red Crosss. Kreu i delegacionit të kësaj organizate në Siri, Stephen Sakalian, deklaroi se shpreson që ky hap të hapë rrugën për lirime të tjera dhe për dialog mbi çështje humanitare, përfshirë fatin e personave të zhdukur që prej dhunës së korrikut.
Burime nga qeveria siriane dhe përfaqësues të komunitetit druz konfirmuan për agjencinë Reuters se marrëveshja u arrit me sukses dhe pasoi ndërmjetësimin e fondacionit amerikan Tim Ballard Foundation, një organizatë jofitimprurëse që lufton trafikimin e qenieve njerëzore.
Siria vijon të përballet me tensione dhe përplasje sektare, pas rrëzimit të befasishëm nga pushteti të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024, duke i dhënë fund një periudhe 14-vjeçare lufte civile dhe sundimi autoritar.
Ky shkëmbim shihet si një hap i parë drejt uljes së tensioneve në jug të vendit, megjithëse situata mbetet e brishtë./mxh
