Ushtria izraelite (IDF) ka konfirmuar se ushtarët e saj hapën zjarr ndaj një automjeti ku ndodheshin 5-vjeçarja palestineze Hind Rajab dhe gjashtë anëtarë të familjes së saj, në Gaza, në janar të vitit 2024. Gati dy vjet e gjysmë pas ngjarjes së rëndë, autoritetet izraelite kanë njoftuar nisjen e një hetimi penal për rastin.
Hind Rajab arriti të mbijetonte fillimisht nga sulmi, ndërsa disa prej familjarëve të saj u vranë. E bllokuar brenda automjetit, ajo arriti të komunikojë përmes telefonit me Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze dhe për orë të tëra kërkoi ndihmë.
Regjistrimi audio i asaj telefonate e bëri rastin të njohur në të gjithë botën. Hind dëgjohej duke kërkuar ndihmë dhe duke u lutur që dikush të shkonte ta shpëtonte.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dërgoi një ambulancë për ta shpëtuar, në një lëvizje që, sipas raportimeve, ishte koordinuar me ushtrinë izraelite. Megjithatë, ambulanca u sulmua dhe dy punonjës të emergjencës humbën jetën.
Telefonata me Hind u ndërpre mes të shtënave të reja. Trupi i 5-vjeçares u gjet 12 ditë më vonë, së bashku me trupat e familjarëve të saj. Sipas një hetimi të mëvonshëm, automjeti ishte goditur nga qindra plumba. Rasti shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare dhe ngriti pikëpyetje mbi deklaratat fillestare të ushtrisë izraelite.
Çfarë ka deklaruar tani ushtria izraelite?
Sipas njoftimit të fundit të IDF-së, hetimi i brendshëm ka arritur në përfundimin se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj automjetit ndërsa ai po afrohej drejt forcave izraelite.
Ushtria izraelite pretendon se automjeti po lëvizte në drejtim të kundërt me itinerarin e evakuimit që ishte publikuar për banorët e zonës.
Në të njëjtën kohë, IDF ka njoftuar nisjen e një hetimi penal nga Policia Ushtarake, duke përmendur, ndër të tjera, mangësi të pretenduara në koordinimin e lëvizjes së ambulancës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Fillimisht, ushtria izraelite kishte deklaruar se në zonën ku u vra Hind nuk ndodheshin ushtarë të saj. Kjo deklaratë u vu shpejt në pikëpyetje. Më vonë, vetë IDF pranoi se forcat e saj po zhvillonin operacione në zona të qytetit të Gazës, përfshirë Tel al-Hawa, ku ndodhej Hind.
Përveç rastit të Hind Rajab dhe familjes së saj, IDF ka njoftuar se do të hetojë edhe vdekjen e 15 palestinezëve pranë Rafahut, në mars 2025. Mes viktimave kishte personel mjekësor dhe një punonjës të OKB-së.
Ndërkohë, në tre raste të tjera, ushtria izraelite deklaroi se nuk kishte gjetur arsye për nisjen e hetimeve penale. Bëhet fjalë për vdekjen e shtatë punonjësve të World Central Kitchen në Deir al-Balah, në prill 2024, si dhe për vdekjen e katër punonjësve të Mjekëve pa Kufij në dy incidente të veçanta.
Rasti i Hind Rajab ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Historia e saj është përshtatur edhe në filmin “The Voice of Hind Rajab”, i cili u nominua për çmim Oscar.
IDF është përballur me presion ndërkombëtar për të treguar se po heton në mënyrë të pavarur rastet që lidhen me shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Izraeli argumenton se mekanizmat e tij të brendshëm të hetimit tregojnë se ushtria është në gjendje të hetojë dhe të ndjekë penalisht shkeljet e pretenduara nga forcat e saj./mxh
