Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të shtyjë për tre ditë vendosjen e tarifave të reja prej 50% ndaj një sërë mallrash kanadeze, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja po përpiqen të finalizojnë një marrëveshje tregtare.
Trump njoftoi se tarifat të cilat pritej të hynin në fuqi të mërkurën, janë pezulluar për tre ditë pasi, sipas tij, të dyja palët kanë arritur një marrëveshje në parim. Megjithatë, dokumentet përfundimtare ende nuk janë finalizuar.
“Kam pezulluar tarifat 50% ndaj Kanadasë për një periudhë tre ditore, pasi SHBA-ja dhe Kanadaja, në pritje të finalizimit të dokumenteve, kanë një marrëveshje”, deklaroi Trump.
Vendimi u mor më pak se dy orë përpara hyrjes në fuqi të tarifave, të cilat do të preknin importe kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. Negociatorët e dy vendeve u takuan të mërkurën në Uashington, duke treguar se bisedimet për marrëveshjen vazhdojnë. Trump e cilësoi marrëveshjen e mundshme si “shumë të mirë” për të dyja vendet.
Sipas presidentit amerikan, Kanadaja pritet të bëjë lëshime në sektorët e bujqësisë dhe prodhimit, ndërsa SHBA-ja mund të ulë disa nga tarifat që ka vendosur ndaj produkteve kanadeze. Kryeministri kanadez Mark Carney tha se është bërë “përparim i konsiderueshëm”, por theksoi se ende mbetet punë e rëndësishme për t’u përfunduar.
Një nga çështjet kryesore në negociata është tarifa amerikane prej 25% ndaj automjeteve kanadeze. Sipas raportimeve, palët po diskutonin mundësinë e uljes së saj në 15%, por nuk kishin rënë dakord se cilat automjete do të përfitonin nga kjo ulje. SHBA-ja kërkon gjithashtu që Kanadaja të rrisë aksesin për produktet bujqësore amerikane, veçanërisht për prodhuesit amerikanë të djathit, si dhe të heqë kufizimet ndaj shitjes së alkoolit amerikan në disa provinca kanadeze.
Përveç tarifave të reja, Kanadaja përballet tashmë me tarifa amerikane ndaj çelikut dhe aluminit, automjeteve dhe lëndës drusore. Tarifat e reja do të prekni produkte të tjera, përfshirë verën, produktet e qumështit, çimenton, veshjet dhe pajisjet e hokejit.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje, duke paralajmëruar se tarifat më të larta do të dëmtonin të dyja ekonomitë, do të rrisnin kostot për konsumatorët amerikanë dhe do të ndërprisnin më tej zinxhirët e furnizimit.
SHBA-ja dhe Kanadaja janë partnerë të rëndësishëm tregtarë, por marrëdhëniet ekonomike mes tyre janë tensionuar ndjeshëm që prej rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Shtyrja tre-ditore u jep negociatorëve një afat të shkurtër për të finalizuar marrëveshjen dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës tregtare./mxh
