Pas një dekade në krye të drejtimit kreativ të Saint Laurent, stilisti belg Anthony Vaccarello largohet nga një prej shtëpive më të njohura të modës në botë. Lajmi u konfirmua të premten, më 9 tetor, nga grupi Kering, pronari i markës franceze, pa dhënë detaje mbi arsyet e këtij vendimi.
Vaccarello ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Saint Laurent, duke i dhënë markës një identitet të dallueshëm dhe duke forcuar ndikimin e saj në industrinë e modës dhe kulturës. Largimi i tij vjen pas javësh spekulimesh, të cilat ishin shtuar veçanërisht përpara prezantimit të koleksionit Pranverë/Verë 2027 gjatë Javës së Modës në Paris.
Ky prezantim u shoqërua me një atmosferë të veçantë, me Kullën Eiffel të ndriçuar në sfond dhe një llambadar gjigant të vendosur mbi pasarelë. Koleksioni ndërthurte elemente karakteristike të Saint Laurent, si xhaketat safari dhe smokingët e kuruar, në nuanca ari dhe bronzi. Në fund, dhjetë veshje tërësisht të zeza krijuan një finale që u interpretua si një lamtumirë simbolike e stilistit për shtëpinë e modës.
Anthony Vaccarello mori drejtimin kreativ të Saint Laurent në vitin 2016, duke pasuar Hedi Slimane. Gjatë këtyre dhjetë viteve, ai ndërtoi një estetikë të qëndrueshme, të karakterizuar nga silueta të strukturuara, sensualiteti dhe eleganca provokuese. Smokingët ikonë për femra, veshjet e mbrëmjes dhe kombinimet mes minimalizmit dhe joshjes u kthyen në elemente të përsëritura të krijimtarisë së tij.
Një tjetër hap i rëndësishëm gjatë drejtimit të Vaccarello ishte krijimi i Saint Laurent Productions në vitin 2023, duke e bërë markën një nga emrat e parë të luksit që investoi në një studio të mirëfilltë prodhimi filmash. Mes projekteve të saj më të njohura ishte filmi Emilia Pérez.
“Anthony Vaccarello ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e Saint Laurent, duke ndihmuar në forcimin e identitetit dhe ndikimit të saj në botën e modës dhe kulturës”, thuhet në deklaratën e Kering.
Ndërkohë, emri i pasuesit të tij ende nuk është zyrtarizuar. Në industrinë e modës kanë nisur spekulimet se Chemena Kamali, aktualisht drejtoreshë kreative e Chloé dhe ish-drejtuese e dizajnit të veshjeve për femra në Saint Laurent, mund të jetë kandidatja kryesore për këtë pozicion./mxh
