Last Updated on 09/10/2026 by EL
Vrasja e gjyqtarit të Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, më 6 tetor 2025, në sallën e gjyqit, dyshohet se ishte planifikuar katër ditë më herët nga autori i dyshuar, Elvis Shkambi.
Skenari i dyshuar i paramendimit të vrasjes është zbuluar pas ekzaminimit të telefonave të sekuestruar Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij, Gjon Shkambi. Sipas dosjes, tre ekspertë të laboratorit kibernetik pranë SPAK kanë zbuluar disa mesazhe që Elvis Shkambi i kishte dërguar xhaxhait të tij.
Mesazhet që po hetohen nga SPAK
Siç rezulton në dosjen penale, më 2 tetor 2025, Elvis Shkambi i dërgoi një mesazh xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, në orët e mbrëmjes, duke i shkruar: “…e me i qelbanikos krejt…”.
Ndërkohë, më 3 tetor 2025, në orën 22:56, Elvis Shkambi i dërgoi një tjetër mesazh xhaxhait të tij, ku i shkruante: “…situata asht e randë boll, pa e randu edhe pak ma shumë…”.
Dy minuta pas këtij mesazhi, po në mbrëmjen e 3 tetorit 2025, Elvis Shkambi i dërgoi një tjetër mesazh Gjon Shkambit, duke i shkruar: “…të ruajmë nervat për të Hanën…”.
Data 6 tetor, kur ndodhi vrasja e rëndë në ambientet e Gjykatës së Apelit, ishte ditë e hënë.
Gjyqtari u vra me tre plumba pistolete
Më 6 tetor 2025, gjyqtari Astrit Kalaja u vra me tre plumba pistolete të markës “Welt Waffen Ë. Germany, Cal.765 mm, Broëning”.
Sipas të dhënave të dosjes, të tre plumbat kanë qenë tejshkues, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të gjyqtarit.
Mesazhet e zbuluara në telefonat e sekuestruar kanë çuar prokurorët e çështjes, Arenc Çela dhe Ridvan Suka, në përfundimin se vrasja e gjyqtarit dyshohet se ishte paramenduar katër ditë më parë nga Elvis Shkambi.
Tri akuza të rënda ndaj Elvis Shkambit
Në bazë të hetimeve, ndaj Elvis Shkambit janë ngritur tri akuza:
-Vrasja e funksionarëve publikë”, në dëm të gjyqtarit Astrit Kalaja.
-Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, në dëm të Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj.
-Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve shpërthyese”.
Nëse shpallet fajtor për këto akuza, Elvis Shkambi rrezikon një dënim nga 35 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, gjatë hetimeve njëvjeçare, prokurorët nuk kanë konstatuar përfshirjen e xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.
Gjon Shkambi dhe punonjësi i Gjykatës së Apelit nën hetim
Në fillim të hetimeve, Gjon Shkambi u arrestua dhe u hetua për vrasjen e gjyqtarit, por kjo akuzë nuk u provua. Megjithatë, sipas hetimeve, ndaj tij u provua përfshirja në veprime kriminale të lidhura me akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim”, në dëm të viktimave Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj.
I pandehur në këtë çështje është marrë edhe Banush Koxhaj, punonjës i Gjykatës së Apelit në Tiranë. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, pasi nuk ka kryer kontrollin fizik pas sinjalit të kuq të dhënë nga skaneri i gjykatës.
Çështja ka hyrë tashmë në fazën e gjykimit paraprak në Gjykatën e Tiranës, ndërsa procesi gjyqësor pritet të nisë në muajt në vijim./et
